APN: Ragmi Mustafa vazhdon ta shpërblej vëllaun e ti me kontrata publike – DOKUMENTI

Alternativa për Ndryshim (APN), përmes kryetarit të saj Visar Memeti, ka dalë me akuza të drejtpërdrejta ndaj zyrtarit komunal Ragmi Mustafa, duke e akuzuar këtë të fundit për shpërblim të familjarëve të tij me kontrata nga fondet publike.
Në një reagim publik të shpërndarë edhe në rrjete sociale, Memeti thotë se Ragmi Mustafa, i cili aktualisht është në pushtet, ka shpërblyer vëllain e tij të vogël, Selami Mustafën, duke e kontraktuar për mbikëqyrjen e punimeve për mirëmbajtjen dhe rekonstruimin e ndriçimit publik në territorin e Komunës së Preshevës.
Sipas dokumentit zyrtar të siguruar nga APN, kontrata është lidhur nga NP “Moravica” më 13 qershor 2023 dhe parasheh që Selami Mustafa, inxhinier i diplomuar nga fshati Žujincë, të marrë një shpërblim prej 1.8% të vlerës së punimeve të realizuara nga firmat kontraktuese. Kontrata përfshin mbikëqyrjen teknike për projektet e ndriçimit publik.
“Gjithçka që ka të bëjë me rrymën, ndriçimin publik dhe tenderët po qarkullon përreth një rrethi të mbyllur familjar të Ragmi Mustafës,” – deklaroi Memeti. Ai shtoi se kjo praktikë me përqindje është e përsëritur dhe përbën një formë të qartë të shpërblimit të afërmve përmes buxhetit të komunës.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e Ragmi Mustafës apo Ndërmarrjes Publike “Moravica” lidhur me këto akuza.
APN ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie për çdo kontratë që përfshin para publike dhe do të kërkojë sqarime në Kuvendin Komunal për këtë rast.