Edicioni i katërt i spektaklit “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” do të mbahet në Preshevë

Pas suksesit të edicioneve të mëparshme në qytete të ndryshme shqiptare, spektakli artistik “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” do të vijë për herë të parë në Preshevë, në edicionin e tij të katërt.
Ky aktivitet i veçantë kulturor do të mbahet në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, ku ekipi organizativ është tashmë në përgatitje intensive të skenës dhe elementëve teknikë të spektaklit.
Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” është një homazh i fuqishëm për figurën e Nënë Terezës, e cila vazhdon të frymëzojë breza të tërë shqiptarësh dhe më gjerë. Ai ndërthur elementë të muzikës, poezisë dhe interpretimit skenik, duke sjellë emocione të forta dhe mesazhe të thella humanizmi.
Pas edicionit të tretë që u mbajt me datë 5 shtator në Tiranë, ky organizim ka marrë përmasa mbarëkombëtare dhe synon të shtrihet në të gjitha trevat shqiptare.
Organizatorët pritet të publikojnë së shpejti edhe datën zyrtare të mbajtjes së spektaklit në Preshevë, si dhe listën e artistëve pjesëmarrës.
Ky është një hap domethënës për jetën kulturore të Preshevës dhe një mundësi unike për komunitetin lokal që të përjetojë nga afër një ngjarje që promovon vlerat shpirtërore, identitetin dhe krenarinë shqiptare.