Për herë të parë në Preshevë: Biblioteka “Mehmet Jusufi” organizon panairin e parë të librit “Presheva Flet”

Një ngjarje historike për jetën kulturore të Preshevës nisi sot me organizimin për herë të parë të Panairit të Librit “Presheva Flet”, nën kujdesin e Bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi”. Ky aktivitet dyditor, që mbahet më 21 dhe 22 qershor, synon të promovojë leximin, kulturën dhe krijimtarinë shqipe në Luginën e Preshevës.

Panairi u hap zyrtarisht sot në orën 11:00 me ceremoninë përuruese, duke sjellë një agjendë të pasur me tryeza diskutimesh, promovime librash, botime të reja dhe aktivitete për të gjitha grupmoshat. Në ditën e parë, e shtunë më 21 qershor, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin promovimet nga shtëpi të njohura botuese si Emathia, Dukagjini, Toena, Onufri dhe Fan Noli. Temat variojnë nga pedagogjia dhe identiteti kulturor, deri te inteligjenca artificiale dhe poezia bashkëkohore.

E diela, 22 qershor, do të sjellë një agjendë po aq dinamike me tryeza të rrumbullakëta mbi ruajtjen e identitetit, promovime të veprave të autorëve shqiptarë dhe panele diskutimi me figura të njohura të letrave dhe arsimit. Panairi do të mbyllet me një takim të veçantë kushtuar të rinjve të Lugines.

Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e librit dhe gjuhës shqipe në Preshevë, duke krijuar një platformë të re për autorët, lexuesit dhe botuesit shqiptarë. Organizator i panairit është Biblioteka “Mehmet Jusufi”, me mbështetjen e shtëpisë botuese Albas dhe institucioneve vendore e arsimore.

“Presheva Flet” jo vetëm që i jep zë librit shqip, por dëshmon edhe për rritjen e vetëdijes kulturore në një rajon që ka nevojë për më shumë platforma të tilla.

Back to top button