Planifikoni udhëtim në BE? Kujdes çfarë mbani me vete – gjobat arrijnë deri në 13,800 €

Udhëtoni nga Serbia drejt BE-së? Kujdes çfarë merrni me vete – gjobat mund të arrijnë deri në 13,800 euro
Nëse planifikoni të udhëtoni nga Serbia drejt ndonjë vendi të Bashkimit Evropian, kini kujdes me çfarë mbani në çantë apo bagazh. Autoritetet doganore evropiane paralajmërojnë se malli i ndaluar, sasi të tepruara apo mungesa e deklarimeve mund të sjellin gjoba të rënda, deri në 13,800 euro.
Bagazhi personal duhet të jetë vetëm për përdorim vetjak dhe jo për qëllime tregtare. Nëse për shembull udhëtoni me një fëmijë të vogël dhe mbani dy karroca, kjo mund të konsiderohet si mall për shitje dhe të konfiskohet.
Mallrat që nuk tatohen
– Udhëtarët mbi 15 vjeç mund të mbajnë mallra deri në vlerën e 300 eurove pa taksa.
– Ata nën 15 vjeç mund të mbajnë deri në 150 euro mallra.
Ushqimet që lejohen dhe ndalohen
Nuk lejohet të merrni produkte që përmbajnë mish ose qumësht, siç janë djathi, sallami, jogurti apo kremrat e bazuara në produkte shtazore.
Lejohen këto sasi për përdorim personal:
– Qumësht pluhur për foshnje deri në 2 kg
– Ushqim për bebe ose persona me nevoja mjekësore deri në 2 kg
– Ushqim për kafshë shtëpiake deri në 2 kg
– Peshk i përpunuar ose tharë deri në 20 kg
– Mjaltë dhe vezë deri në 2 kg
– Çokollata, biskota, ushqime të thata si supat, etj.
Frutat dhe perimet
Lejohen pa certifikatë vetëm bananet, ananasi, kokosi dhe hurmat. Çdo lloj tjetër kërkon certifikatë fitosanitare.
Para në dorë
Nëse mbani më shumë se 10,000 euro ose ekuivalentin në një valutë tjetër, duhet të deklaroni shumën në kufi. Mosdeklarimi mund të sjellë konfiskim dhe gjobë.
Duhani dhe produktet e tij
Lejohet vetëm një sasi e vogël për përdorim personal – p.sh. 40 cigare ose deri në 50 gram duhan.
Ilaçet
Lejohen vetëm për përdorim personal dhe me dokumentacion mjekësor.
– Ilaçet standarde mund të mbahen për një periudhë trajtimi deri në një muaj.
– Ilaçet me përmbajtje të kontrolluar (si në terapi për substanca) lejohen vetëm për 5–15 ditë, në varësi të rastit dhe me dokumentacion përkatës.
Nëse kapeni me sasi të papërshtatshme ose pa dokumentacion, mund të gjobiteni deri në 13,600 euro.
Gjobat
Për mallra të ndaluara apo të padeklaruara:
– Gjobat variojnë nga 400 deri në 12,800 euro
– Në raste të rënda, mund të arrijnë deri në 13,800 euro
Nëse po niseni nga Kosova, Lugina e Preshevës apo Maqedonia drejt BE-së, kontrolloni çfarë mbani me vete – përndryshe, përveç sekuestrimit të mallrave, mund të përballeni me gjoba të rënda.