PVD në shërbim të Ragmi Mustafës – Çfarë fshihet pas heshtjes së Arditës?

Një reagim publik është bërë sot nga Almin Shaqiri, i cili ka kritikuar drejtëpërdrejt Ragmi Mustafën, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe bashkëdrejtues aktual i komunës së Preshevës bashkë me kryetaren Ardita Sinani.

Në postimin e tij në Facebook, Shaqiri e akuzon Mustafën për një lojë të dyfishtë politike, duke e përdorur Partinë për Veprim Demokratik (PVD) si një mjet të dorës së dytë për qëllimet e tij personale dhe politike. Ai thekson se Mustafa po e lë PVD-në të vetëshkatërrohet duke e vendosur në pozita të rëndësishme figura të paafta si Ardita Sinani, e cila sipas tij, për afro një vit nuk ka thirrur asnjë mbledhje në degën e Preshevës.

“PVD-në e ka trajtuar gjithmonë si parti rezervë. Edhe sot po e luan të njëjtën lojë, duke e lënë të fundoset në rrugën e minuar që vetë ia ka ndërtuar,” shkruan Shaqiri.

Reagimi i tij vjen pak ditë pasi Visar Mehmeti publikoi dokumente që flasin për përfitime të mëdha financiare nga familjarët e Ragmi Mustafës përmes projekteve të komunës. Sipas këtyre dokumenteve, vëllau i Mustafës ka marrë shuma të konsiderueshme nga buxheti komunal, gjë që ka ngritur dyshime për nepotizëm dhe keqpërdorim të pushtetit.

Shaqiri përmend gjithashtu “naruzhbenicët” – një term që përdor për të përshkruar përfitimet dhe shpërblimet që po shpërndahen për rrethin familjar të Mustafës, duke lënë anash interesat e qytetarëve të Preshevës.

“Bravo i qoftë Ragmiut për këtë punë!” përfundon Shaqiri me ironi në postimin e tij.

Back to top button