Skandal i rradhës në Preshevë: Pushteti lokal shpërblen familjarët me tenderë të përshpejtuar!

Një tjetër skandal trondit Komunën e Preshevës. Sipas një denoncimi të bërë publik nga këshilltari komunal Visar Memeti, Ragmi Mustafa, njëri nga figurat kyçe në qeverisjen lokale, dyshohet se i ka ndarë të vëllait të tij 8 tenderë me procedurë të përshpejtuar që nga fillimi i vitit 2025.
Memeti bën të ditur se më 30 maj 2025 ka kërkuar qasje në dokumentacionin e tenderëve me procedurë të përshpejtuar nga Administrata Komunale, duke ushtruar të drejtën e këshilltarit komunal për të kërkuar informata me rëndësi publike.
Sipas të dhënave të marra nga administrata, rezulton se 8 tenderët e parë të vitit janë ndarë për projekte të zgjerimit dhe rikonstruktimit të rrjetit elektrik në vende të ndryshme të Komunës së Preshevës. Këto tenderë janë fituar nga një kompani me lidhje të afërta familjare me Ragmi Mustafën – konkretisht nga vëllai i tij, i cili është inxhinier i elektros dhe i licencuar për përpilimin e dokumentacionit teknik të kësaj natyre.
Vlera totale e tenderëve të fituar përllogaritet të jetë mbi **3 milionë dinarë**, ndërkohë që kompania përfituese është në pronësi të një shtetasi nga Vraja, por operohet në komunën e Preshevës nga vëllai i Ragmi Mustafës.
Memeti e cilëson këtë rast si “shpërblim të familjes me para publike” dhe e vendos në të njëjtin rrafsh me skandale të tjera që kanë ndodhur në këtë komunë. Ai gjithashtu kritikon heshtjen e këshilltarëve të PVD-së dhe Aleancës, të cilët, sipas tij, po e mbajnë në pushtet një person që duhet të japë llogari për veprimet e tij.