Vuçiq takohet me udhëheqësin e Emirateve, Sheikh Mohammed bin Zayed, në Abu Dabi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij zyrtare në Abu Dabi, u takua me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan.
Në Instagram, Vuçiq shkruan:
“Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, një njeri që fjalën e tij e vlerëson e gjithë bota dhe që për mua është, mbi të gjitha, një mik i madh i Serbisë tonë.”
Temat që trajtuan përfshinin krizën në Lindjen e Mesme, marrëdhëniet bilaterale, projektet aktuale dhe të ardhshme të përbashkëta që siç tha Vučić “do të ndryshojnë jo vetëm Serbinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu konceptin e bashkëpunimit ekonomik dhe infrastruktural në Evropë”. Vuçiq theksoi se ata po synojnë që Serbia të pozicionohet si një vend modern, i zhvilluar dhe inovativ.
Ai foli edhe për Expo 2027, duke e përshkruar si “kulmin e përpjekjeve tona për të treguar botës se vendi është një qendër inovacioni, shkence, rritjeje të shpejtë, mendjeje dhe vizioni të guximshëm.”
Në fjalën e tij, ai shtoi gjithashtu:
“Paraqita mikut tim, Mohamed bin Zayed, plane të reja që do të ndryshojnë jo vetëm Serbinë dhe rajonin, por gjithë konceptin e lidhjes ekonomike dhe infrastrukturore të Evropës. Si gjithmonë, kemi synime të larta, dhe në realizimin e tyre kemi mbështetje nga miqtë që gjithmonë kanë qenë me ne. Serbia vlerëson mbështetjen e Emirateve dhe beson në forcën e marrëdhënies që po ndërtojmë – me respekt të ndërsjellë, besim dhe vizion për përparim.”