Ardita Sinani mërgimtarët i pret me billborde dhe kamera, drejtori i saj u kërkon para për hapjen e bunareve

Në prag të ardhjes së mërgimtarëve për sezonin veror, pushteti aktual në Komunën e Preshevës, i udhëhequr nga kryetarja Ardita Sinani, ka nisur një fushatë mirëseardhjeje që përfshin video-mesazhe dhe billboarde me slogane si: “Mirë se vini në vendlindje, bashkatdhetarë të dashur!”.

Mirëpo, pas kësaj fasade mikpritjeje fshihet një realitet më i zymtë dhe kontradiktor: në të njëjtën kohë, nga bashkatdhetarët po kërkohen para për të mbuluar nevojat bazike të qytetit – konkretisht për hapjen e dy puseve për ujë të pijshëm.

Një dokument zyrtar nga Ndërmarrja Publike “Moravica”, me drejtues të emëruar nga vetë Ardita Sinani, i është drejtuar mërgatës me kërkesë për ndihmë financiare vullnetare në vlerë totale prej 19,300 euro për hapjen e puseve dhe vendosjen e pajisjeve për furnizim me ujë.

Ky veprim ka ngjallur reagime të forta dhe pakënaqësi në opinionin publik dhe sidomos tek vetë mërgata, e cila ndjen që po trajtohet si burim i vetëm për mbulimin e dështimeve të pushtetit lokal në menaxhimin e resurseve publike.

Në dokumentin e pregatitur nga N.P. “Moravica” pranohet hapur se për shkak të “vështirësive financiare” ndërmarrja nuk mund të funksionojë normalisht dhe ka nevojë për ndihmën e bashkatdhetarëve.

Kjo situatë ngre pyetje serioze për prioritetet dhe kapacitetin e qeverisjes lokale. A është e drejtë që një pushtet që shpërndan mesazhe emocionale për mirëseardhje, të mos ketë as mundësinë të sigurojë ujë të pijshëm për qytetarët pa iu drejtuar për ndihmë diasporës?

Përderisa posterët e shtrenjtë të mirëseardhjes dekorojnë hyrjet e qytetit, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit – një realitet që nuk fshihet dot pas një fotografie për Instagram.

Back to top button