Digjet rimorkio e një kamioni që transportonte letër higjienike në rrugën Bujanoc–Preshevë

Një incident i pazakontë ka ndodhur sot në rrugën lokale Bujanoc–Preshevë, në afërsi të fshatit Samolicë, ku është përfshirë nga flakët rimorkio e një kamioni që po transportonte letër higjienike.

Kamioni është në pronësi të një transportuesi nga Trgovishta, ndërsa dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e fërkimit të gomave me dyshemenë e rimorkios, gjë që ka shkaktuar shkëndija dhe më pas përhapjen e flakëve.

Rimorkio është djegur plotësisht, ndërsa nga vendi i ngjarjes e deri në disa kilometra prapa janë parë gjurmë të letrës higjienike të shpërndarë përgjatë rrugës.

Zjarri gjithashtu ka përfshirë edhe barin e thatë dhe bimësinë e ulët përgjatë anës së rrugës, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Prokuroria Themelore Publike në Vranjë ka urdhëruar mbledhjen e dëshmive nga dëshmitarët dhe kryerjen e hetimeve për zbardhjen e plotë të rastit.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Qarkullimi në këtë segment rrugor është ndërprerë për një kohë të shkurtër.

Back to top button