“Ditët e Diasporës – Preshevë 2025” rikthehen me dy netë festive në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”

Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë organizon edicionin e radhës të aktivitetit kulturor “Ditët e Diasporës – Preshevë 2025”, që do të zhvillohet më 30 dhe 31 korrik, duke sjellë dy netë të pasura me art, traditë dhe bashkim shpirtëror me diasporën shqiptare.

30 Korrik – Mbrëmja e parë do të hapet me shfaqjen e komedisë “Një dorëzim” nga Teatri i Qytetit – Preshevë, në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës, duke nisur nga ora 20:00. Publiku pritet të shijojë një natë plot humor, por edhe reflektim përmes mesazheve të fuqishme që përcjell kjo vepër teatrore.

31 Korrik – Mbrëmja e dytë, nën moton “Sofra Preshevare”, do të zhvillohet në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Kulturës. Programi fillon në ora 20:00 dhe përfshin:
– Panairin e ushqimeve dhe punimeve tradicionale shqiptare
– Koncertin festiv me SHKA “Presheva”
– Performancën e këngëtares së njohur Vjollca Buqaj, mysafire speciale e kësaj nate.

Ky aktivitet është një mundësi e artë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare, duke bashkuar vendasit dhe bashkëkombësit nga diaspora në një atmosferë të ngrohtë dhe festive.

Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, vizitorët dhe dashamirësit e kulturës që të bëhen pjesë e këtyre dy netëve të veçanta për të ndarë shijen, tingullin dhe shpirtin shqiptar.

Back to top button