Dy vëllezër nga diaspora mbërrijnë me biçikleta në Gjilan nga Zvicra

Një udhëtim i jashtëzakonshëm u kurorëzua sot në qytetin e Gjilanit, ku dy vëllezër nga diaspora shqiptare në Zvicër, Visar dhe Shkëlqim Korbi, mbërritën me biçikleta pas një rruge të gjatë dhe sfiduese përmes disa vendeve të Evropës, me destinacion përfundimtar atdheun e tyre.
Përshkimi i kësaj rruge ishte më shumë sesa një aventurë sportive – ishte një akt simbolik dashurie për vendin e tyre të origjinës. Vëllezërit Korbi kishin kryer prova të shumta para nisjes dhe e përballuan me sukses të gjithë udhëtimin.
Në mbërritje, ata u pritën ngrohtësisht jo vetëm nga familjarët dhe qytetarët e Gjilanit, por edhe nga kryetari i komunës së Gjilanit, i cili shprehu mirënjohjen e tij për këtë akt simbolik që i dedikohet atdheut.
“Ky është një mesazh i fuqishëm që tregon se rinia jonë në diasporë është e lidhur fort me Kosovën. Ju faleminderit për guximin, përkushtimin dhe këtë shembull të bukur,” tha kryetari gjatë takimit me vëllezërit Korbi.
Ky udhëtim frymëzues është një thirrje për bashkim shpirtëror me atdheun dhe një dëshmi se, pavarësisht largësisë, zemra e diasporës rreh fort për vendin e vet.
