Komisioni Evropian reagon për gjendjen e shqiptarëve në Serbi: Kërkon sqarime për “pasivizimin” e adresave në Luginën e Preshevës

Komisioni Evropian ka reaguar zyrtarisht ndaj shqetësimeve të ngritura për gjendjen e shqiptarëve në Serbi, duke theksuar se po e ndjek nga afër trajtimin e minoriteteve kombëtare, përfshirë edhe komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.
Në një letër drejtuar deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, anëtarja e Komisionit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se çështja e të drejtave të shqiptarëve është pjesë e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, konkretisht në kapitullin 23 “Gjyqësia dhe të drejtat themelore”.
“Serbia është e detyruar të zbatojë kornizën ligjore për të drejtat e personave që i përkasin minoriteteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane,” thuhet në letrën e dërguar nga Komisioni Evropian.
Në mënyrë të veçantë, Komisioni i është referuar edhe çështjes së “pasivizimit” të adresave në Luginën e Preshevës, duke theksuar se ky problem është trajtuar në raportin e zgjerimit për vitin 2024. Në letër theksohet se autoritetet serbe duhet të sqarojnë publikisht se si po kryhen verifikimet e adresave dhe nëse Lugina e Preshevës është e shënjestruar posaçërisht.
“Do të vazhdojmë të ndjekim nga afër këto çështje dhe të angazhohemi me autoritetet në kuadër të dialogut politik dhe negociatave të anëtarësimit në BE,” përfundon letra e nënshkruar nga Marta Kos.
Ky reagim vjen pas shqetësimeve të shumta nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Serbi për diskriminimin institucional dhe shtypjen administrative përmes “pasivizimit” të adresave, që po rrezikon përfaqësimin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në jug të Serbisë.
