Presheva pret në kabinet z. Armand Dukën dhe përfaqësues të lartë të sportit shqiptar: Fokus tek të rinjtë dhe zhvillimi i futbollit

Në kuadër të Turneut të Luginës në futboll për grupmoshat U7 deri U13, sot në Preshevë u zhvillua një takim i rëndësishëm në kabinetin e Komunës, ku u pritën figura të larta të sportit dhe diplomacisë shqiptare.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka, Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj, si dhe gazetarja e njohur sportive, znj. Anila Basha, vizituan Preshevën së bashku me delegacionin nga Komuna e Preshevës.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e këtij turneu si një nismë që fuqizon sportin tek të rinjtë dhe kontribuon në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm institucional për zhvillimin e futbollit në Luginë. Në fokus ishin konkretisht planet për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Preshevë dhe mbështetjen e talenteve të reja.

Pritësit falënderuan të ftuarit për vizitën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që i jepet komunitetit sportiv në këtë trevë, duke vlerësuar se investimi tek të rinjtë është një investim për të ardhmen.

Turneu i Luginës po konsiderohet si një mundësi e artë për të nxitur frymën sportive, për të zbuluar talente të reja dhe për të forcuar lidhjet kulturore dhe kombëtare përmes sportit.

Back to top button