Rritet kapaciteti energjetik në Rahovicë: Instalohet transformatori i ri prej 250 kVA

Një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës energjetike është bërë në fshatin Rahovicë, ku është lëshuar në punë një transformator i ri me fuqi prej 250 kVA. Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari Ragmi Mustafa përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Transformatori i ri është vendosur në dalje të fshatit dhe pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për banorët, si dhe të ndihmojë në shmangien e ndërprerjeve të shpeshta gjatë ngarkesave të larta, sidomos në stinën e verës dhe dimrit.
“Sapo lëshuam transformatorin për punë me fuqi instaluese 250 kVA në dalje të fshatit Rahovicë”, shkroi Mustafa, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm për nevojat e qytetarëve.
Ky investim është pjesë e planit për modernizimin e rrjetit elektrik në komunën e Preshevës dhe synon të rrisë cilësinë e jetesës për banorët lokalë.
