Semaforët në Preshevë nuk do të funksionojnë deri më 31 gusht

Administrata Komunale e Komunës së Preshevës ka njoftuar sot qytetarët për një masë të përkohshme që lidhet me qarkullimin rrugor gjatë sezonës së verës. Për shkak të fluksit të shtuar të bashkatdhetarëve nga diaspora dhe rritjes së ndjeshme të qarkullimit të automjeteve, do të bëhet pezullimi i funksionimit të semaforëve në disa nga kryqëzimet më të frekuentuara të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, semaforët nuk do të jenë funksionalë në periudhën nga 15 korriku deri më 31 gusht 2025, në lokacionet e mëposhtme:
– Kryqëzimi i rrugëve 15 Nëntori – Sava Kovaçeviç dhe Karposh
– Kryqëzimi i rrugëve 15 Nëntori – Zenel Ajdini dhe Seljami Halaci,
– Kryqëzimi i rrugëve 15 Nëntori – Çemal Shehu dhe Vëllezërit Frashëri.
“Kjo masë është ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të qarkullimit në zonat e ngarkuara të qytetit,” – thuhet në njoftimin e firmosur nga Ilir Sadriu, Inspektor i Komunikacionit në Komunën e Preshevës.
Gjatë kësaj periudhe, lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve do të rregullohet me shenjat ekzistuese të sinjalizimit vertikal dhe horizontal. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të rregullave të komunikacionit nga të gjithë pjesëmarrësit, për të garantuar sigurinë në rrugë.
