Zjarri i madh përfshin fshatin Corroticë – rrezikohen shtëpitë dhe pyjet përreth

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer sot në orët e pasdites në fshatin Corroticë të komunës së Preshevës, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të pyjeve dhe duke rrezikuar shtëpitë pranë zonës së banuar.

Siç shihet në pamjet e siguruara nga vendngjarja, flakët dhe tymi i dendur kanë mbuluar pjesë të mëdha të pyllit mbi fshat, ndërkohë që zjarri po i afrohet rrezikshëm shtëpive të banorëve. Disa shtëpi tashmë janë përfshirë nga tymi, ndërsa flakët janë vetëm disa metra larg lagjeve të banuara.

Zjarrfikësit lokalë janë në terren dhe po përpiqen të vënë nën kontroll flakët, por terreni i vështirë dhe era e fortë po e komplikojnë ndërhyrjen. Banorët e zonës janë mobilizuar për të ndihmuar në përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe për të mbrojtur pronat e tyre.

Back to top button