Jasin Jakupi, ylli i ri i tenisit nga Presheva që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka pritur në një takim të veçantë tenistin e ri dhe të talentuar nga Presheva, Jasin Jakupi, i cili po ngjitet me hapa të sigurt në skenën ndërkombëtare të tenisit.

Jakupi, i cili nisi rrugëtimin në këtë sport në moshën vetëm 6-vjeçare, është tashmë pjesë e Reprezentacionit të Kosovës në tenis. Ai ka arritur rezultate të konsiderueshme: në renditjen e Zvicrës mban vendin e 55-të, ndërsa në renditjen botërore ATP ndodhet në pozitën 1890 – një sukses i madh për një të ri nga Presheva.

Gjatë takimit, Sinani u shpreh se ky është një tregues i qartë që rinia nga Presheva po na përfaqëson me dinjitet dhe sukses në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë dhe lavdëroi përkushtimin dhe pasionin e Jasin Jakupit.

“Jasini është frymëzim për çdo të ri – një shembull se me punë dhe vullnet gjithçka është e mundur. Të vazhdojmë të mbështesim rininë tonë, sepse në ta kemi të ardhmen,” u shpreh Sinani.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, ku u diskutua për arritjet e Jasinit dhe planet e tij të ardhshme në sportin e tenisit.

Back to top button