Pas Rahovicës, edhe Zhunica me transformator të ri – rritet kapaciteti energjetik në komunën e Preshevës

Pas përfundimit me sukses të projektit energjetik në Rahovicë, ku u instalua një transformator i ri 250 kVA, tashmë edhe fshati Zhunicë i është bashkuar listës së vendbanimeve me kapacitete të përmirësuara të furnizimit me energji elektrike.
Më 5 gusht 2025, përfunduan punimet për instalimin e një transformatori 250 kW, ndarësit të tensionit 10 kV dhe kutisë shpërndarëse me pajisjet përkatëse elektroenergjetike në lagjen e Re të fshatit Zhunicë. Ky projekt siguron shpërndarje të energjisë në tension 3×380 V për qytetarët dhe bizneset e zonës.
Zv.Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në një postim në rrjetet sociale shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij investimi, duke theksuar se energjia elektrike është burimi kryesor për jetesë dhe zhvillim të bizneseve në komunën e Preshevës. Ai uroi qytetarët, bizneset dhe konsumatorët e energjisë për përfitimet e këtij projekti.
Sipas Mustafës, përfituesit janë të dy palët: ata që më parë ishin të lidhur me transformatorin e vjetër afër mlinit si dhe pjesa tjetër e lagjes që tashmë furnizohet nga transformatori i ri, duke u shkëputur nga rrjeti i vjetër. Kjo do të mundësojë tension më stabil dhe furnizim më të qëndrueshëm e të mjaftueshëm me energji elektrike për të dyja zonat.
“Pushteti Lokal Preshevë do të vazhdojë me projekte të tilla kudo që ka nevojë qytetari apo biznesi,” u shpreh kryetari Mustafa, duke paralajmëruar edhe projekte të tjera infrastrukturore në të ardhmen për një jetë më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.
