Çmimi i drunjve në Preshevë arrin 60 euro për metër – ngrohja me dru bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë

Sezoni i dimrit po afron dhe familjet në Preshevë po përballen me çmime të larta për ngrohje. Aktualisht, çmimi i drunjve në treg është 60 euro për metër, që do të thotë se një traktor me rreth 5 metra dru kushton 300 euro.
Për ata që vendosin të ngrohen me dru, shpenzimi nuk ndalet vetëm te blerja. Nëse dëshiron që drunjtë të sharroren e përgatiten për përdorim, duhet të llogaritet edhe një kosto shtesë prej 7 euro për metër. Kjo nënkupton se një familje që blen një traktor me dru (5 metra), vetëm për sharrim do të paguajë edhe 35 euro më shumë, duke e çuar çmimin total në 335 euro.
Në krahasim me vitet e kaluara, çmimi i drunjve ka shënuar rritje të ndjeshme, duke rënduar buxhetin e shumë familjeve që varen kryesisht nga ngrohja me dru. Shumë banorë të Preshevës theksojnë se ky është një prej dimrave më të vështirë, pasi shpenzimet e larta të energjisë dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë po ulin ndjeshëm fuqinë blerëse.
Një familje mesatare, në varësi të madhësisë së shtëpisë dhe kushteve klimatike, harxhon nga 10 deri në 15 metra dru për një dimër të plotë. Nëse marrim një mesatare prej 12 metrash, kostoja totale arrin mbi 800 euro (përfshirë sharrimin), një shifër që për shumë familje është jashtëzakonisht e lartë.
