Forumi Rinor Raincë Përfundon me sukses projektin e ngjyrosjes së vijave këmbësore në fshat

Fshati Raincë është bërë sot një vend më i sigurt për të ecur, falë një nisme të suksesshme të Forumi Rinor Raincë. Forumi shpalli sot përfundimin me sukses të projektit të ngjyrosjes së sinjalizimit të vijave për nxënësit dhe këmbësorët nëpër fshat.

Ky projekt, i cili synon të rrisë sigurinë në rrugë për fëmijët që shkojnë në shkollë dhe për të gjithë banorët, u realizua kryesisht falë angazhimit dhe punës së palodhur të vullnetarëve dhe aktivistëve të forumit. Me kohën dhe përpikmërinë e tyre.

Përveç kontributit të vullnetarëve, projekti u mundësua edhe falë mbështetjes financiare të disa bizneseve dhe individëve lokalë. Forumi Rinor Raincë shprehu mirënjohje të veçantë për: Shoqatën Rainca, Kafe Toli, Kafe Kulla 97, Moler Gipser ADI, Edon Zahiri (Zahiri Sh.p.k), Hajrush Bajrami.

Në një postim në rrjetin social facebook të publikuar nga forumi thuhet: “Kontributi juaj është dëshmi se kur komuniteti bashkohet, arrihen rezultate që i shërbejnë sigurisë dhe mirëqenies së përbashkët. Ky projekt është një hap i vogël, por me rëndësi të madhe, në krijimin e një ambienti më të sigurt për nxënësit tanë dhe të gjithë banorët.”

Projekte të tilla, edhe pse të vogla në shikim të parë, janë jetike për të përmirësuar infrastrukturën dhe sigurinë lokale, duke treguar fuqinë e iniciativës së rinjve dhe të komunitetit të bashkuar.

Back to top button