Levent Qazimi sulmon Ragmi Mustafin: “Zalloga hajdutiane që përfundoi në plehun e historisë”

Levent Qazimi ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale ndaj Ragmi Mustafit, ish-kryetarit të Komunës së Preshevës, duke e akuzuar atë për korrupsion, pasurim të paligjshëm dhe tradhti ndaj interesave të shqiptarëve në Luginë.
Në shkrimin e tij, Qazimi e përshkruan Mustafin si një shembull tipik të transformimit “nga përfitues i solidaritetit në plaçkitës të paskrupullt”. Ai thekson se ish-studenti “i varfër” është shndërruar në milioner duke “shitur nderin dhe djersën e Luginës”.
Sipas tij, pas marrjes së pushtetit, Mustafi e ktheu fondin prej 2 milionë eurosh që erdhi nga Kosova në biznes privat dhe sot krenohet me një pasuri prej mbi 700.000 euro vetëm në Prishtinë, “pasuri që nuk e kanë dhjetëra familje të mbledhura bashkë në Luginë”.
Qazimi e akuzon Mustafin se ka përdorur shqiptarët vetëm si “gurë shahu për të fituar pazaret” dhe se për të “dinjiteti shitet për një karrige”.
“Ragmi Mustafi nuk je as burrë, as politikan – je thjesht një egërsirë e trishtë, i mësuar vetëm të mbash çantat e patronëve të tu dhe të kafshosh çdo shqiptar. Ti je zalloga hajdutiane e Luginës që ka përfunduar në plehun e historisë”, shkruan ndër të tjera Qazimi.
Në fund, ai thekson se Mustafi “kurrë nuk do të arrijë majat e Arbër Pajazitit, sepse fundi yt është në Shtime”.
Ky reagim i ashpër ka ngjallur vëmendje të madhe në opinion, duke hapur debat mbi akuzat për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm në Luginë.
