Shqiprim Arifi qorton Kurtin: “Mund të luash me Luginën, Maqedoninë dhe Kosovën, por jo me SHBA-të!”

Pas njoftimit të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, ish-kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka shprehur kritika të forta ndaj kryeministrit, Albin Kurti.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Arifi e quan vendimin amerikan si pasojë të “veprimeve të papërgjegjshme” të qeverisë së Kurtit. Me një ton sardistik, ai shkruan: “Mund të luash me Luginën e Preshevës, me Maqedoninë e Veriut, madje edhe me vet Kosovën e popullin e saj, por JO me SHBA-të!”.
Arifi shton me tallje se meqë qeveria e Kosovës i ka dhënë “surprizë politike” popullit duke e shtyrë dialogun strategjik, tashmë mund të shtohet edhe “Çorba e Krizës” në menynë e ditës.
Reagimi i tij pasqyron shqetësimin e një pjese të opinionit publik shqiptar, veçanërisht në rajonin e Preshevës, lidhur me pasojat e veprimeve të qeverisë së Kurtit në marrëdhëniet me aleatët kryesorë.
Për shumë vëzhgues, pezullimi i dialogut nga SHBA-ja është një shenjë serioze e pakënaqësisë ndaj politikave të ndjekura nga Kosova në muajt e fundit.
