Aksion në gjithë Evropën: Kontroll i shtuar për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Trafikut, në periudhën nga 6 deri më 12 tetor të këtij viti, do të zhvillojnë një aksion ndërkombëtar “Fokus në rrugë”, i cili ka për qëllim zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve që lidhen me përdorimin e palejuar të telefonit celular nga drejtuesit e automjeteve, si dhe përdorimin e gabuar të telefonit apo kufjeve nga këmbësorët gjatë kalimit të rrugës.
Aksioni do të zhvillohet njëkohësisht në 34 shtete evropiane, anëtare të organizatës ROADPOL (rrjeti evropian i policive të trafikut).
Sipas të dhënave, përdorimi i telefonit celular gjatë ngasjes e rrit rrezikun e aksidenteve nga katër deri në njëzet herë, duke e bërë këtë shkelje një nga problemet më të mëdha aktuale të sigurisë në komunikacion.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Sigurinë e Trafikut, rreth 5% e këmbësorëve përdorin në mënyrë të palejuar telefonin apo kufjet gjatë kalimit të rrugës, ndërsa 4 deri në 8% e drejtuesve të automjeteve përdorin telefonin gjatë ngasjes, në varësi të llojit të mjetit.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që, me qëllim ruajtjen e jetës dhe sigurisë së tyre dhe të të tjerëve, të mos përdorin telefona celularë, kufje apo pajisje të tjera që shpërqendrojnë vëmendjen gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.
