Që nga sot, shtëpitë e shëndetit në Serbi punojnë edhe natën

Shtëpitë e shëndetit në të gjithë Serbinë nga sot do të punojnë me tre turne, pra 24 orë në ditë. Qëllimi i zbatimit të këtij orari të ri është rritja e aksesit të qytetarëve në shërbimet shëndetësore dhe sigurimi i funksionimit më efikas të sistemit të kujdesit shëndetësor, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Që nga sot, shërbimin e natës e kanë organizuar shtëpitë e shëndetit në: Voždovac, Vračar, Zvezdara, Zemun, Novi Beograd, Palilula, Rakovica, Savski venac, Stari grad, Čukarica, Surčin, Kragujevac, Niš dhe Novi Sad.

Të gjitha shtëpitë e tjera të shëndetit tashmë e kanë të organizuar shërbimin 24-orësh përmes ekipeve të shërbimit të urgjencës.

Sipas publikimit në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri Zlatibor Lončar ka deklaruar se zgjatja e orarit të punës u mundëson qytetarëve të marrin ndihmë mjekësore bazë në çdo kohë, pa pasur nevojë të drejtohen në qendrat e urgjencës për probleme që nuk janë emergjente.

“Në këtë mënyrë do të lirohet niveli sekondar dhe tercial i kujdesit shëndetësor, ndërsa pacientët do të marrin më shpejt dhe më efektivisht ndihmën e nevojshme,” ka deklaruar Lončar, duke shtuar se analizat kanë treguar se shumë pacientë shkojnë në qendrat e urgjencës me shqetësime që mund të trajtohen në shtëpitë e shëndetit.

“Me vendosjen e punës 24-orëshe, synojmë të garantojmë qytetarëve siguri dhe besim se mund të marrin ndihmë në çdo moment, ndërsa njëkohësisht u japim mundësi mjekëve në spitale të përqendrohen në rastet më të rënda dhe kërcënuese për jetën,” ka theksuar Lončar.

Ministria bëri të ditur se ka siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin e kësaj mase – nga rritja e personelit dhe organizimi i turneve, deri te mbështetja teknike dhe logjistike.

Back to top button