Në Vranjë vihet në përdorim 5G – në Bujanoc dhe Preshevë së shpejti

Rrjeti 5G ka nisur zyrtarisht funksionimin në qytetin e Vranjës, duke shënuar një hap të rëndësishëm teknologjik për rajonin. Sipas informatave të konfirmuara nga profesionistë të angazhuar në mirëmbajtjen dhe sigurinë e stacioneve bazë të tre operatorëve kryesorë të telefonisë mobile – Yettel, A1 dhe mts Telekom – platforma 5G tashmë është aktivizuar në disa qytete të mëdha të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi-Sadin dhe Nishin, ndërsa Vranja është pjesë e fazës së fundit të aktivizimit.

Sipas planit të shpërndarjes, rrjeti 5G do të shtrihet gradualisht në gjithë territorin, deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa një lajm i rëndësishëm për konsumatorët është se çmimet aktuale të shërbimeve nuk parashikohet të rriten.

Teknikisht, e gjithë komuna e Bujanocit është plotësisht e gatshme për aktivizimin e 5G dhe pritet që rrjeti të lëshohet në përdorim shumë shpejt.

Ndërkohë, për Komunën e Preshevës, janë duke u kryer edhe disa punime të mbetura, të cilat sipas parashikimeve do të përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 2026, duke hapur rrugë për aktivizimin e rrjetit të gjeneratës së pestë.

Për më tepër, qyteti më i afërt me kufirin e Preshevës në territorin e Kosovës – Gjilani – tashmë ka aktivizuar rrjetin 5G, duke e bërë rajonin edhe më të lidhur teknologjikisht.

Eksperti sqaron gjithashtu se modelet më të vjetra të telefonave nuk mund ta perceptojnë apo përdorin rrjetin 5G, ndaj përdoruesit që duan të shfrytëzojnë shpejtësinë e re të internetit duhet të sigurohen se pajisja e tyre e përkrah këtë teknologji.

Back to top button