Nga 15 dhjetori nis java e komedisë në Preshevë

Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare – Presheva 2025” do të nisë më 15 dhjetor, duke sjellë në skenë një javë të tërë të dedikuar humorit, artit skenik dhe trupave teatrore nga mbarë trevat shqiptare. Aktiviteti do të zhvillohet në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica”, ndërsa në edicionin e tij jubilar pritet një pjesëmarrje e gjerë artistësh, regjisorësh dhe adhuruesish të teatrit.

Festivali hapet të hënën, më 15 dhjetor, në orën 19:00, me shfaqjen “Vetmi në perëndim” të autorit Martin McDonagh, vënë në skenë nga Teatri i Qytetit dhe me regji të Afeida Boriqit. Ky produksion shënon nisjen e një programi pesëditor që do të sjellë çdo mbrëmje një shfaqje të ndryshme nga teatro të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Gjatë festivalit do të prezantohen vepra të dramaturgëve të njohur ndërkombëtarë e vendorë, mes tyre Yasmina Reza, Viktor Eftimiu dhe Florian Zeller. Në Preshevë do të paraqiten edhe trupa të afirmuara si Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gostivarit, Teatri i Tetovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Qendra Teataore “Naun Shundi – Zonja e Bujtinës” nga Tirana.

Edicioni i vitit 2025 synon të sjellë jo vetëm humor dhe argëtim, por edhe një pasqyrë të nivelit të lartë të krijimtarisë teatrore shqiptare në rajon. Organizatorët theksojnë se festivali po rritet vit pas viti, duke kthyer Preshevën në një pikëtakim të rëndësishëm kulturor për artdashësit.

Shfaqja e fundit, me datë 20 dhjetor, do ta mbyllë festivalin me komedinë “Komisar Daltoniko në Teatër”, nën regjinë e Naser Shatrollit.

“Ditët e Komedisë Shqiptare” mbeten një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Preshevë, duke promovuar bashkëpunimin artistik dhe duke sjellë pranë publikut krijime që ndërthurin humorin me mesazhe shoqërore.

Back to top button