Presheva mbetet qyteti më i varfër në Serbi

Presheva dhe Bujanoci vazhdojnë të mbeten ndër komunat me pagat më të ulëta në jug të Serbisë, sipas raportit më të fundit të Entit Republikan të Statistikave të Serbisë për muajin shtator.
Sipas të dhënave zyrtare, Presheva renditet në vendin e fundit në nivel republikan me një pagë mesatare neto prej vetëm 74.164 dinarësh. Kjo e vendos komunën e Preshevës në krye të listës së varfërisë në vend, duke treguar hendek të madh ekonomik krahasuar me mesataren kombëtare, e cila në shtator ka arritur 109.147 dinarë.
Edhe Bujanoci rezulton me paga dukshëm më të ulëta se mesatarja e Serbisë. Paga mesatare neto për shtator në këtë komunë ka qenë 79.351 dinarë, duke e pozicionuar atë gjithashtu në fund të renditjes republikane. Edhe pse më e lartë se në Preshevë, diferenca është e vogël dhe vazhdon të pasqyrojë vështirësitë ekonomike të rajonit.
Pçinjski okrug, ku bëjnë pjesë Presheva dhe Bujanoci, mbetet një nga rajonet më të varfra në Serbi me një pagë mesatare prej 84.792 dinarësh, shumë më poshtë se rajonet e zhvilluara si Beogradi, ku pagat tejkalojnë 135.000 dinarët.
Të dhënat e reja konfirmojnë pabarazinë e thellë ekonomike mes jugut dhe pjesëve më të zhvilluara të Serbisë. Ndërsa komuna më e paguar në vend, Stari Grad në Beograd, ka regjistruar një mesatare prej 183.944 dinarësh, Presheva dhe Bujanoci mbeten larg standardeve të tilla.
