Automjete nga jashtë në Kosovë: Çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet sipas ligjit të ri

Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë publikuar një dokument informues për automjetet e regjistruara në vend të huaj që marrin pjesë në trafikun rrugor në territorin e Kosovës, duke sqaruar detyrimet ligjore për drejtuesit dhe pronarët e tyre.

Sipas informatës zyrtare, automjetet me targa të huaja, në pronësi të shtetasve të huaj apo qytetarëve të Kosovës, lejohen të qarkullojnë deri në tre muaj nga data e hyrjes në Kosovë, me kusht që pronarët të kenë të rregulluar statusin e qëndrimit dhe dokumentacionin përkatës.

Theksohet se automjetin e regjistruar jashtë Kosovës nuk mund ta drejtojë një shtetas i Kosovës pa praninë e pronarit të automjetit, dhe as nuk mund të autorizohet për qarkullim në territorin e Kosovës në mungesë të tij.

Po ashtu, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe kanë automjete të regjistruara në shtetin ku qëndrojnë, mund t’i drejtojnë ato në Kosovë vetëm nëse kanë qëndrim të rregulluar të përkohshëm ose të përhershëm në atë shtet, si dhe autorizim zyrtar nga vendi ku automjeti është i regjistruar.

Një përjashtim vlen për personat që nuk kanë të rregulluar qëndrimin në shtetin prej nga importohet automjeti – atyre u lejohet qarkullimi maksimumi tetë ditë nga data e hyrjes në Kosovë.

Sa i përket patentë-shoferëve, shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, si dhe qytetarët e Kosovës që kthehen nga jashtë, mund të drejtojnë automjete me patentë të huaj të vlefshme deri në një vit nga data e hyrjes në Kosovë.

Autoritetet bëjnë të ditur se zbatimi i plotë i këtyre rregullave fillon më 15 mars 2026, ndërsa mosrespektimi i tyre do të konsiderohet shkelje ligjore dhe do të pasohet me masa ndëshkuese, sipas legjislacionit në fuqi.

Për më shumë detaje, qytetarët ftohen t’i referohen Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Back to top button