Buxheti i komunës së Bujanocit për vitin 2026 është 1,43 miliardë dinarë

Këshilli Komunal i Bujanocit ka miratuar propozim-buxhetin e Komunës për vitin 2026, në vlerë totale prej rreth 1 miliard e 430 milionë dinarësh, njoftoi kryetari i komunës, Arber Pajaziti.

Ai u ka bërë thirrje këshilltarëve që buxheti i propozuar të miratohet në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, e cila pritet të mbahet të martën.

Sipas tij, buxheti është hartuar në përputhje me udhëzimet dhe kufizimet e detyrueshme të Ministrisë së Financave, të cilat kanë ndikuar në hapësirën e kufizuar për ndryshime eventuale.

Megjithatë, mjetet buxhetore janë orientuar drejt sektorëve me rëndësi më të madhe për qytetarët, si infrastruktura, arsimi, shërbimet komunale, mbrojtja sociale, kultura, sporti dhe funksionimi i institucioneve lokale.

Kryetari i komunës u bëri thirrje këshilltarëve të Kuvendit Komunal që në seancën e ardhshme ta konfirmojnë buxhetin e propozuar, në mënyrë që Komuna e Bujanocit të hyjë në vitin 2026 me stabilitet financiar dhe pa pengesa në realizimin e projekteve të planifikuara dhe shërbimeve publike.

Në seancën e sotme të Këshillit Komunal janë shqyrtuar dhe miratuar edhe një sërë vendimesh dhe programesh, përfshirë programin e punës së Këshillit Komunal për vitin 2026, programet e punës dhe planet financiare të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, vendimet për shpërndarjen e mjeteve për investime nga buxheti i Trupit Koordinues, si dhe vendimet për taksat komunale lokale dhe çështje të tjera me rëndësi për funksionimin e komunës.

Back to top button