Mustafa: Verdikti i popullit për lirim – Gëzuar Kosovë në 18-vjetorin e Pavarësisë

Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka reaguar me një mesazh publik me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë datë si ditë historie dhe krenarie për mbarë kombin shqiptar.

Në mesazhin e tij, Mustafa thekson se kjo ditë shënon Pavarësinë dhe shpalljen e Republikës së Kosovës, duke uruar shqiptarët kudo që ndodhen.

“Në këtë ditë historie e krenarie për popullin shqiptar në Kosovë e kudo ku janë shënohet PAVARËSIA dhe shpallja e Republikës së Kosovës. Gëzuar shqiptarë kudo ku jeni, gëzuar Kosovë, gëzuar të rinj e të reja, e ju të gjitha moshat e tjera për shtetin më të ri në botë – Republika e Kosovës”, ka shkruar ai.

Mustafa ka përmendur edhe ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke shprehur mbështetjen e tij për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai ka theksuar se në këtë përvjetor qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshet kryesore në Kosovë për të shprehur qëndrimet e tyre, duke e quajtur këtë “verdiktin e popullit”.

Mesazhi i tij është shoqëruar me hashtagët #liriÇlirimtarëve dhe #gëzuarKosovë, duke përçuar një thirrje simbolike për unitet dhe solidaritet në këtë ditë festive për Republikën e Kosovës.

Back to top button