Nesër seanca e Kuvendit të Preshevës, 19 pika në rend dite

Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Agim Sabedini, ka konvokuar seancën e I-rë (të parë) të rregullt të Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet të martën, më 10 shkurt 2026, duke filluar nga ora 10:00, në sallën e madhe të Kuvendit Komunal në Preshevë.
Në rendin e ditës janë paraparë gjithsej 19 pika, ku përfshihet shqyrtimi dhe miratimi i ekstraktit të procesverbalit nga seanca e VII-të, si dhe diskutimi i raporteve të punës dhe raporteve financiare për vitin 2025 të disa institucioneve publike komunale.
Këshilltarët do të shqyrtojnë gjithashtu programet e punës dhe planet financiare për vitin 2026 të institucioneve si Qendra Sportive “Presheva”, Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, Biblioteka “Mehmet Jusufi”, Qendra për Punë Sociale, Ndërmarrja Publike “Moravica”, Enti Parashkollor “8 Marsi”, si dhe Fondi për Qëllime Humanitare.
Në rend dite është përfshirë edhe emërimi i këshillit të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë, si dhe shqyrtimi i propozim-vendimit mbi bashkësitë lokale në territorin e komunës së Preshevës.
Seanca do të përmbyllet me pyetje të këshilltarëve.
