Dëshmia e një refugjati sirian: si na shpëtoi një polic shqiptar
Muhamedi gjendet tani në Austri dhe pas shtatë muajsh qëndrimi atje ka marrë pasaportë austriake. Arriti ta mësonte gjermanishten në vetëm kaq kohë. Janë me mijëra si ai që kanë një histori personale për të rrëfyer, histori që ka të bëjë me kalvarin e ikjes nga lufta, nga tmerri me emrin Siri.
Dhe në fakt historia e tij është e gjatë. Ai u largua nga lufta në Siri duke iu drejtuar Irakut ku ndenji disa muaj dhe, duke punuar në një hotel për 12 orë në ditë për 600 dollarë, ndërkohë që gjatë kohës së lirë bënte dhe mësuesin e anglishtes, arrin të mbledhë gjithsej 13 mijë dollare, të cilat do t’i duheshin për të shkuar në Europë. Por pasi mbërrin në Stamboll, merr vesh qe babai i tij ishte shumë keq, i rrahur nga policia. Ndërsa pak kohë më pas, vëllai i tij vritet nga ISIS-i. Dhe pasi Muhamedi shpenzon gati gjysmën e parave për operacionin e të atit, ai mbetet me vetëm 1000 dollarë, të cilat ia jep një personi që i premton se do ta dërgojë me një varke në një nga ishujt e Greqisë. Personi që ia mori paratë doli të ishte një trafikant i rrezikshëm, i cili nën kërcënimin e armëve i detyroi të hipnin në një varkë të vogël.
Dhe nga rrëfimi i tij po shkëpusim atë pjesë ku përmend ballafaqimin me një polic shqiptar pasi kalon kufirin grek për në Shqipëri. Interesant është fakti se po si shqiptarët në fillimet e tyre të emigracionit në Greqi, edhe Muhamedit i ka mbetur në mendje për keq epiteti “malaka” …
“Ishulli ku mbërritëm quhej Samothrace. Ishim shumë të lumtur që kishim arritur deri aty. Menduam se më në fund arritëm në një vend të sigurt. Filluam të ecnim në drejtim të stacionit të policisë për t’u regjistruar si refugjatë. Madje i kërkuam dikujt në rrugë që të lajmëronte policinë. U thashë refugjatëve të tjerë të më linin mua të flisja meqënëse dija anglisht. Pa pritur, dy xhipa me policë erdhën me shpejtësi drejt nesh duke frenuar në vend. U sollën me ne sikur të ishin vrasës dhe filluan të na kontrollojnë. Na drejtuan armët dhe na bërtitën: “Duart lart!” U thashë: “Ju lutëm, sapo kemi shpëtuar nga lufta, nuk jemi kriminelë!” Ata na thanë: “Mbylleni gojën, Malaka!” Nuk do ta harroj kurrë atë fjalë: “Malaka, malaka, malaka.” Vetëm kështu na drejtoheshin.
Na futën në burg. Rrobat i kishim të lagura. i gjithë trupi na dridhej (nga i ftohti). Nuk arrinim as të flinim. Akoma e ndiej të ftohtin në kocka. Për tre ditë me rradhë nuk na dhanë as bukë, as ujë. U thashë policëve: “Nuk duam bukë, por ju lutëm na jepni pak ujë.” Iu përgjërova komandantit që të na jepte pak ujë. Por, përsëri na u drejtua: “Mbylleni gojen, malaka!” Do ta mbaj mend fytyrën e atij njeriu për gjithë jetën. I kishte dhëmbët e rrallë, kështu që përshtynte kur fliste. Por ai preferoi të shihte shtatë vetë tek sa vuanin për ujë për tre ditë me rradhë, edhe pse i luteshin për pak ujë.
Shpëtuan vetëm kur na vendosen në disa barka dhe na dërguan në një kamp në pjesën kontinentale.
Qëndruam aty për dymbëdhjetë ditë përpara se të drejtoheshim për në veri. Ecëm për tre javë me rradhë. Hanim vetëm gjethe, si kafshët. Pinim ujë nga lumenjë të pistë. Këmbët m’u frynë aq shumë sa m’u desh t’i hiqja këpucët.
Kur arritëm në kufi, një polic shqiptar na gjeti dhe na pyeti nëse ishim refugjatë. Kur i thamë “po”, ai tha se do të na ndihmonte. Na tha të fshiheshim në pyll deri sa të binte nata. Në fillim nuk pata besim te ai, por isha shumë i lodhur për t’ia mbathur. Kur ra nata, ai na mori të gjithëve në makinën e tij. Më pas na çoi në shtëpinë e tij dhe na mbajti aty për një javë. Na bleu rroba të reja. Na jepte ushqim për ditë. Ai na tha: “Mos kini turp! Edhe unë kam jetuar në luftë. Tani ju jeni familja ime, e kjo është shtëpia juaj.”