Shpresim Sadiku: Matematicienti Preshevar mori duartrokitjet e Serbëve
Ishte i përpiktë që në fëmijëri, me ngulm dhe punë shfrytëzoi talentin e tij, andaj sot ndonëse 19-vjeçar, Shpresim Sadiku nga Presheva me plot meritë ka marrë epitetin “truri matematikor”.
I pari në çdo garë komunale dhe rajonale të Serbisë, po ashtu më i miri në Olimpiadën e Matematikës në Kosovë, ai thotë se suksesi më i lartë deri tani ka qenë çmimi i tretë në garat shtetërore të vitit 2011 në Nish të Serbisë.
Në këtë garë Shpresim Sadiku ka qenë i vetmi shqiptar pjesëmarrës në mesin e 300 nxënësve serbë, dhe siç thotë ai, kujton me krenari duartrokitjet e rreth 1000 serbëve pjesëmarrës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që po “gëzonin” për suksesin e një shqiptari….
Ndonëse për shumëkënd lënda e matematikës është lënda më komplekse dhe e padëshiruar, juve tashmë trojet shqiptare ju njohin si “truri matematikor”. Pse pikërisht matematika?
Fillimisht dua të hap intervistën duke përshëndetur të gjithë lexuesit e portalit tuaj. Ju falënderoj për epitetin që më dhatë pak më sipër, megjithëse jam disa tituj shkencor larg të qenit i tillë. Matematika… për shumë arsye! Meqenëse babai im është profesor matematike, ai ka ndikuar në një mënyrë ose në një tjetër që unë të isha afër matematikës qysh në fëmijëri. Mbaj mend që gjithmonë kam qenë i rrethuar me shumë libra, revista e botime matematikore. Në fakt, prirjen time në botën egzakte të matematikës e vërejtën shumë herët edhe mësuesit e shkollës fillore.
Kështu, në klasë të dytë, kur edhe fillojnë garat shkollore për fëmijë, unë isha i pari që dorëzova testin e garave. Më pas mësova që kisha kapur vendin e parë me saktësi 100%. Rezultati pozitiv në këtë garë kaq “të vogël” më dha shtysë dhe motiv që të përgatitesha edhe më fortë për “garat e mëdha” që më prisnin më pas. Është e vërtetë që matematika është një fushë mjaft komplekse që kërkon punë të vazhdueshme, megjithatë nuk mund të mohohet aspak emocioni i bukur që merr kur i jep zgjidhje një ushtrimi a kur përfundon një vërtetim.
Përmendët garat matematikore, atëherë na thoni: keni vazhduar të merrni pjesë në këto gara edhe më tutje, nëse p,o cili është suksesi juaj më i madh?
Është e vërtetë që kam qenë pjesëmarrës në shumë gara e olimpiada në matematikë. Megjithëse shumicën e rasteve kam arritur të dalë me rezultat të mirë, në njërin ndër tre vendet e para, ka pasur edhe raste kur nuk jam shpërblyer fare. Këto dështime, nëse quhen të tilla pjesëmarrjet në gara të nivelit shtetëror kur nuk ke arritur dot njërin ndër çmimet e para, nuk më kanë dekurajuar aspak. Përkundrazi, më kanë shtyrë të përgatitem edhe më fort për vitin tjetër.
Kujtoj se, duke filluar nga klasa e shtatë e shkollës fillore për të vazhduar më pas në katër vitet e shkollës së mesme, kam fituar shumë çmime, si: vendin e parë vazhdimisht në gara komunale; dy vende të para, një të dytë dhe një të tretë në garat rajonale në Serbi; dy çmime të treta dhe një çmim të dytë në Olimpiadën Gjithëkombëtare të organizuar nga revista “Plus”; tre vende të para dhe një vend të tretë në Olimpiadën Matematike të Kosovës. Por, suksesin tim më të madh do ta quaja çmimin e tretë në garat shtetërore në vitin 2011 në Nish të Serbisë.
Në këtë garë, përfaqësohej pothuajse çdo rajon i Serbisë me nxënësit më të spikatur në matematikë, numri i të cilëve arrinte në mbi 300 nxënës, dhe unë isha i vetmi shqiptar pjesëmarrës, që po përfaqësoja Gjimnazin “Skënderbeu” të Preshevës. Gara funksiononte në këtë formë: ditën e parë bëhej pranimi dhe sistemimi i ekipeve pjesëmarrëse, ku përveç nxënësve dhe profesorëve të tyre kishin ardhur edhe shumë familjarë në përkrahje të fëmijëve të tyre; ditën e dyte ne duhej t’i nënshtroheshim një testi i zgjaste 4 orë për të zgjidhur 5 ushtrime të përpiluar me shumë kujdes nga pedagogë të Universitetit të Beogradit; dita e tretë përfshinte ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për tre çmimet e para.
Si përfundim, unë arrita të fitoj çmimin e tretë. Emocioni i asaj dite për mua do të mbetet i veçantë gjatë gjithë jetës sime. Kujtoj me përulje dhe krenari njëkohësisht duartrokitjet e rreth 1000 personave pjesëmarrës në këtë ceremoni që po “gëzonin” për suksesin e një shqiptari.
Për sukseset e tua në lëndën e matematikës, “fajin” e ka talenti ose puna juaj?
Mendoj se sekreti për të qenë i suksesshëm qëndron tek bashkëveprimi i talentit me punën. Disa i kanë të dyja, disa kanë vetëm njërën. Për të qëndruar modest, do të them që rezultatet që kam arritur janë falë punës së palodhshme që kam bërë ndër vite, për të zbuluar aftësitë e mia, fushat në të cilat punoj më me shumë pasion dhe me pak fjalë për të zhvilluar talentin ose prirjen time në matematikë. Si karakter, jam mjaft kerkues nga vetja
Gjithmonë kam vënë në punë të gjithë forcat e mia për të arritur synimet që i kam vënë vetes. Kam sakrifikuar nga vetja, kam kaluar netë pa gjumë vetëm për të përmbushur gjënë që kam nisur, herë kam dal i fituar e herë i dështuar… Jam ngritur, nuk jam dorëzuar, kam punuar edhe më fortë, jam shpërblyer. Dua t’i them të gjithë të rinjëve që ndjejnë pasiguri në aftësitë e tyre a mërzitje kur nuk arrijnë të realizojnë synimin e tyre se edhe i fituari njëherë ishte i dështuar. Jo më kot thonë “Dështimi është nëna e suksesit!”.
S’do të thotë që je i suksesshëm në matematikë, të njëjtën të jesh edhe në lëndët tjera, apo do t’më demantosh?
Studentët që tregojnë rezultate të mira në matematikë tradicionalisht tregojnë rezultate të mira edhe në lëndët e tjera. Në kohën e shkollës së mesme, rëndësi më të madhe i kam kushtuar matematikës, por kjo nuk do të thotë që i kam lënë anash lëndët e tjera. Përkundrazi, jam përkpjekur dhe kam treguar rezultate të mira edhe në lëndët që kanë pak ose aspak lidhje me matematikën, e të tilla, në fakt, kam pasur plot, ngaqë shkolla që unë kam ndjekur ka qenë gjimnaz i përgjithshëm.
Nganjëherë, jam ndjerë paksa i privilegjuar nga profesorët, ngaqë edhe ata e kanë parë përpjekjen time maksimale për të arritur majat në matematikë. Megjithatë, jam munduar maksimalisht që notat t’i kem të merituara deri në fund dhe të jenë reflektim i punës sime për t’i mbajtur të gjitha notat në nivele të larta.
Pse Tirana dhe jo Prishtina ose Maqedonia? Cka të shtyri që në Tiranë të vazhdosh studimet e juaja?
Gjithmonë e kam ditur se studimet e mia universitare do të jenë të orientuara nga Universiteti i Prishtinës ose ai i Tiranës. Ndërmjet këtyre dy të fundit zgjodha Universitetin e Tiranës për dy arsye kryesore: në kohën kur në të gjithë fakultetet e UP-së po bëheshin aplikimet, programi i matematikës befas nuk po figuronte si program i akredituar dhe arsyeja e dytë është se në Tiranë kisha familjarë që kishin filluar studimet kohë më parë.
garat rajonale vendi 1
Tani që ka kaluar një vit që kur fillova studimet, mendoj se Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka një staf pedagogjik mjaft të përgatitur dhe të ofron një program studimi që është simotër me programet e universiteteve prestigjioze evropiane. Në fillimet e mia mbaj mend të kem pasur probleme me gjuhën, më saktë, me të shprehurit, por me kalimin e njëfarë kohe e kam tejkaluar. Përndryshe, gjatë vitit të kaluar jam rritur profesionalisht edhe më tej në fushat e matematikës, sikundër jam rritur edhe si personalitet, në përgjithësi.
Çka pas diplomimit? Cili është synimi juaj më tutje?
Pas mbarimit të programit trevjeçar bachelor në Tiranë, shpresoj të vazhdoj edhe më tej me master shkencor qoftë në Universitetin e Tiranës ose pse jo në ndonjë universitet evropian. Veten më shumë e shoh tek programet që merren me hulumtime në fushën e matematikës e më pak tek programet që të ofrojnë mundësinë për t’u bërë pedagog.
Viteve të fundit shoh që programi i matematikës, sikundër edhe interesimi i të rinjëve për matematikë është shtuar; në qoftë se viteve të mëherëshme matematika ishte një degë “e harruar”, kohëve të fundit matematikën si profesion i së ardhmes që premton punë po e kërkojnë studentët më të mirë të shkollave të mesme.
Besoj se në të ardhmen do të ofroj gjithmonë ndihmën time ndaj gjeneratave të reja, ndaj studentëve të apasionuar dhe me prirje të veçantë në shkencat natyrore, në veçanti në matematikë. Si komb mund të ngritemi vetëm duke ndihmuar dhe përkrahur njëri-tjetrin në zhvillimin e shkencës në trojet shqiptare. /tesheshi/
Intervistoi: Mensur Krasniqi