Lajme

Nga Presheva drejt Çamërisë, emocionet e një udhëtimi në tokën e përgjakur

“….vozite sa të jetë e mundur ngadalë makinën, si në një varrim… se kjo është rruga që kanë bërë refugjatët çamë para 72 vjetësh. E kupton?… ishin më këmbë, të vrarë në shpirt, sapo kishin varrosur të afërmit e tyre….”

“Loti i Çamërisë”, reportazh nga Mustafa Ismaili, shqiptari i Luginës së Preshevës…

“Çamëria, ish tokë shqiptare, suliotët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Xhavella, dëbimi i popullsisë shqiptare më 1913, 1923, 1938, dhe më 1944-45 genocid, sikundër historikisht ka ndodhur edhe në Kosovë. Vrasje masive, djegje, dëbime…Ndjeva se në shpirtin tim u zgjua gjaku i të parëve të mi… “, është nisja e rrëfimit të Mustafa Isamailit, shqiptari nga Presheva, kur vendosi të nisej drejt Sulit. Ka udhëtuar në Çamëri bashkë me kushëririn e tij Muharremin, për të na sjellë detaje mjaft interesante nga toka e përgjakur prej shqiptarëve të Çamërisë. 27.al ka zgjedhur një pjesë nga ky reportazh mbresëlënës ku përshkruhet bukuria mahnitëse e krahinës shqiptare të Çamërisë ndërthurur me historinë tragjike të shqiptarëve të kësaj ane, si pasojë e genocidit grek ndaj tyre.

Kishim hyrë në kufirin grek dhe për një farë kohe na pushtoi heshtja. Të dy me Muharremin mendonim për Çamërinë. Edhe gjumin në një hotel tranzit, më tej Selanikut, e bëmë me ndërprerje.

Të nesërmen, përmes rrugës kombëtare greke vazhduam për në qytetin e parë çam, Pervezë. Mbaj mend se dikur kjo rrugë ishte shumë e mirëmbajtur, por tani dukej vende-vende e kafshuar. Kuptohej pasojat e krizës greke dukeshin ngado. Lavdia e dikurshme që na trumbetonin me aq bujë, ishte vyshkur. Edhe automjetet në qarkullim ndryshonin prej atyre të Europës, ishin më të lodhura dhe pa shkëlqim. Gjer në horizont, përpara nesh shtrihej një hapësirë pa fund, fusha të gjera dhe pemë mesdhetare, sidomos selvi dhe pisha të mbjella gjer në të dy anët e autoostradës sikur ishin të vizatuara në një pëlhurë gjigande. Ne bisedonim e komentonim duke krahasuar Greqinë që e kishim vizituar vite më parë…..

Rrëfimi i Mustafa Ismailit ka detaje të jashtëzakonshme përmes takimesh të bukura e të hirhura me shqiptarët e mbetur në krahinën e Çamërisë, për të hyrë në Qafë Botë, atje ku janë gdhendur vuajtjet e popullit të Çamërisë….

Vazhduam rrugën në drejtim të kufirit shqiptar, për në Qafë Botë, afër Konispolit. I kishim rënë mes përmes Çamërisë. Ishim në 50 kilometrat e fundit. I thashë Muharremit të voziste sa të ishte e mundur më ngadal, si në një varrim.

– Çfarë të zien në krye? – më pyeti duke u bërë kureshtar. Dhe unë iu përgjigja:

– Kjo është rruga që kanë bërë refugjatët çamër përpara 72 vjetësh. E kupton, ishin më këmbë, të vrarë në shpirt, sapo kishin varrosur të afërmit e tyre. Të detyruar nën forcën e zjarrit të plumbave dhe bajonetave po linin për gjithënjë shtëpitë dhe arat, vreshtat dhe agrumet me ullinj e portokalle. Më ngjan sikur dëgjoj rënkimet dhe kujet e tyre, vajet dhe ngashërimet. Dëshmitare është kjo rrugë, këta gurë dhe këta ullinj shekullorë. Nuk është gjë plaga e trupit përpara plagës së shpirtit, por ata i mbartnin të dyja plagët. Nga të dy anët e rreshtit të refugjatëve ishin korofillakët grekër që u binin pa mëshirë me kamzhik duke u ckërmitur dhëmbët dhe thikat: “Donit Shqipëri? Aty po ju dërgojmë, donit të flisnit shqip, aty shkoni të flisni ditë e natë. Ku i kishit vëllezërit shqiptarë, ku ishin ata kur ju përdhunuam motrat, nënat dhe gratë tuaja?! Ku ishin kur ju premë të afërtit tuaj sikur të ishin lakra?! Na plasët shpirtin, kemi një jetë që ju durojmë ju allbanezëve. Kjo është tokë helene. Dhe mos bëni gabim të ktheheni përsëri….”

Kush kundërshtonte, kush fliste, hante pa një pa dy plumbin ballit, apo thikën në zemër. Grekët e kanë zanat thikën. Lëpijnë gjakun pasi të vrasin.

– Kam lexuar diçka makabre, tha Muharremi, i pushkatuan dy djemtë një babai, 22 dhe 25 vjeç, pastaj e detyruan të hapte varret e tyre dhe kur i mbaroi, e hodhën edhe atë të gjallë brenda në gropë. Ndërsa tek “Përroi i Selamit” në Paramithi, kapiten Deli Janaqi pushkatoi pa gjyq dhe tinëzisht, 72 krerë të Çamërisë.

– Këta kanë ndërruar edhe emrat e fshatrave. – vazhdova unë. – Ku është Spatari, Galibaqi, Picari, Varfanj, Gardhia, Arpika…. sa emër i bukur Ar-Pika, dmth pika ari. Vërtetë ky është vend i artë. Llogarit të tjerë çamër të shpërngulur me forcë në Turqi. Morën grekër nga Turqia dhe dhanë në këmbim të tyre shqiptarë. Çfarë pune kanë shqiptarët me turqit? Kjo është vazhdimësi e tokës shqiptare gjer në Gjirin e Artës. Llogarit, është shkëputur më 1913, në Kongresin e Berlinit. I dërguan në rrafshinat e Anadollit duke i çkulur me forcë nga ky vend i artë, jo pak, por 85 mijë shqiptarë.

– Nuk di po këtu afër duhet të jetë një qytet i vogël që në një ditë vranë 800 çamër. Aty është bërë kërdia, shtoi Muharremi, kanë vënë në majë të bajonetës edhe fëmijë nën tre vjeç, grave shtatzana u kanë çarë barkun, u kanë prerë gishtat dhe veshët për t’ju rrëmbyer bizhutë prej ari.

– Ah, po, kam lexuar, është Paramithia, mbaj mend nga harta, duhet të jetë në të majtë, diku afër detit. Aty ka nisur masakra e Zervës. Ka qenë 27 qershor 1944. Në Dosjen e Hagës përmenden veç 5000 të pushkatuarve pa asnjë lloj gjyqi edhe rrënimi i 68 fshatrave çame me 5800 shtëpi, ullinj, agrume, bagëti të imta e të trasha… Janë shfarosur pa asnjë lloj faji e shkaku 214 gra e 96 fëmijë veç 745 gra të përdhunuara. Disa prej tyre, pas përdhunimit në grup, u hodhën në flakët e zjarrit.

E rëndë, e dhimbshme. Heshtëm të dy. Dëgjohej vetëm zhurma e motorit të makinës, dëshmitare e këtij udhëtimi të vështirë. Dukej sikur motori i saj rënkonte së bashku me ne. Dhe vendi rrotull na ngjante si i mpirë. Kishim marrë me vehte dhimbjen e tokës çame, dhimbje që tashmë eshtë hedhur në peshoren e drejtësisë europiane. Drejtësi, drejtësi, drejtësi…Më mirë vonë se kurrë.

Duhet të njohësh Çamërinë dhe historinëe saj tragjike të kuptosh pse Greqia, kur realisht u sulmua nga Italia fashiste, ende mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ky është ligji më absurd në botë.

Deshëm të kujtojmë këngët e bukura të popullit të talentuar çam, por kur të qan shpirti, nuk të bëhet për këngë.

Matanë kufirit, në Konispol, na priste Memoriali kushtuar Martirëve të Çamërisë, ngritur nga populli shqiptar në vitet e demokracisë. Nuk harrohet gjaku i pafajshëm që njomi çdo pëllëmbë të tokës çame, nuk harrohen lebetitë dhe tmerri që shtriu kthetrat anë mbanë këtij vendi të bekuar nga dora e Zotit, por të përdhunuar nga kthetrat gjakatare të shovinistëve fqinj. Gjaku nuk bjerret. Çamëria, pikë loti në qerpikun e Shqipërisë, lule që nuk vyshket kurrë në zemrat e bashkëkombësve të mi. Pikërisht këtu në Konispol, në çdo 27 qershor bëhet nderimi e përkujtimi i gjithë atyre që u vranë, masakruan e shkrumbuan pse ishin shqiptarë, pse kishin një gjuhë tjetër dhe ushtronin një fe të ndryshme nga grekërit. Çamërinë e artë, Çamërinë që nuk i dolëm dot për zot në kohën që ajo kishte nevojë për gjithë shqiptarët anë mbanë globit, e kemi aty. Ndjesë ju mijëra të pafajshëm gra, burra, fëmijë që dergjeni prej 72 vjetësh gërmadhave, brigjeve, shpateve, pyjeve e përrenjve të Çamërisë. Sot, shqiptarisht, zemrabashkuar ia kërkojmë drejtësisë ndërkombëtare ndëshkimin për krimet dhe genocidin tuaj të pashembullt nga bandat shoviniste greke.

Ishte një udhëtim homazh, një peng që na mundonte prej kohësh.

Kishim përshkuar 230 kilometra përmes kësaj toke të bekuar, njomur me gjak martirësh. Përkulemi me nderim tek Memoriali i Martirëve të saj. Sa e ngjashme kjo trevë me troje të tjera shqiptare të zaptuara nga serbi.

 

 

Related Articles

Back to top button