Ndjesë për Lidhjen e Prizrenit!
“Askush nuk është më i verbër se sa ai që nuk dëshiron të shohë”- thoshte Xhonathan Suift.
Ju kërkojmë ndjesë juve përfaqësues të mbarë trojeve, delegatë në Lidhjen e Prizrenit!
Ju kërkojmë ndjesë juve profesorë, studentë, libra, juve dashamirë të historisë, populli ynë!
Mbi të gjitha , na fal, ti, Histori !!!
Në fakt, nuk dimë a do të duhej të ishim ne ata që duhet të kërkonim falje?!
Nuk di as në jemi ne kompetentët që duhet të dalim me deklaratë publike e t’u kërkojmë falje pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, të urtit Abdyl bej Frashëri, trimit Sulejman Vokshi, të palodhshmit Myderriz Ymer Prizreni, e të tjerëve, të cilët i njohëm si kundërshtarë të Perandorisë Osmane, megjithë faktin se ata firmosën Kararnamenë (aktvendimin) ku thuhej se “Lidhja jonë është formuar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjithë mjetet”. Për më tepër thoshim se ata u mblodhën për të kundërshtuar sulltanin përderisa ata vetë shkruajtën se “Qëllimi ynë i lartë është të mbrojmë të drejtat e lartmadhërisë së tij – Sulltanit, sovranit tonë. Ne do quajmë armiq të kombit dhe atdheut të gjithë ata që kundërshtojnë dhe prishin qetësin, ata që dobësojnë qeverinë dhe bashkëpunëtorët e tyre”.
Më pas t’i lutemi për falje popullatës së gjerë që u privua nga shumë të vërteta, profesorëve që ligjëruan me libra të censuruar, fëmijëve që mësuan nga po ato libra dhe së fundi t’i kërkojmë falje historisë si shkencë që e manipuluam dhe historisë si e kaluar që paskësh qenë aq e lavdishme për ne ?!
Ajo shtëpi, në kuadër të Kompleksit të Lidhjes, për të cilën në librat e historisë dhe nga mësuesit e historisë mësonim dhe mësojmë se u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit ka bazament prej 5.75 m gjerësi dhe 6.75 m gjatësi, me sipërfaqe 38.81 m2, ku sipas standardeve mund të vendosen maksimum 9 (nëntë) veta.
Po ku mbetën edhe rreth 300 përfaqësues të tjerë të Lidhjes së Prizrenit? Kërkojmë përsëri ndjesë që nuk kemi mundur ti fusim brenda përfaqësuesit tjerë!
Sikur po i shohim pasardhësit tanë pas 135 viteve (ashtu siç jemi ne sot) duke lexuar për Lidhjen e Prizrenit. Shtëpia në fjalë do t’u ngjasojë me mitin e pazgjidhshëm të piramidave në Egjipt. Mbase do të konkludonin me shumë konspiracion se të parët tanë e të tyre mund të ishin njerëz mjaft të vegjël fizikisht, përderisa paskëshin arritur të futen brenda rreth 300 (treqind) njerëz në një vend sipas dimensioneve të lartcekura. Kështu miti do të vazhdonte deri në pafundësi.
Të kërkuarit ndjesë nuk duhet të konceptohet si humbje e prestigjit apo lëkundje e krenarisë. Prestigji fitohet kur një punë dëshmohet. Ne presim që institucionet përgjegjëse që merren me shkrimin e historisë të përmirësojnë ca gabime duke e zëvendësuar qasjen mitike me atë reale-faktike. Shpresoj që përgjegjësit të dalin me deklaratë publike, me emisione në mediume, me kumtesa dhe rishikim të teksteve, e duke mos pasur kompleksin të thonë: ”Na falni, ka gabime që duhen përmirësuar, jemi mashtruar nga historiografia sovjetike e enveriste, nuk kemi ditur atëbotë, kemi pasur censurë nga regjimi i kaluar, jemi ngutur… por do të shpërfaqim të vërtetën sa më shpejt që është e mundur!”
Sot u vendos një pllakë në xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklisë) nga ana e Kuvendit Komunal të Prizrenit, ku theksohet se Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit u mbajt në këtë xhami. Uroj që ky hap i vogël të jetë nismë edhe e angazhimeve në këtë drejtim të institucioneve si: Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës, Instituti i Historisë, Ministria e Arsimit, katedra e Historisë në UP dhe të gjitha institucionet e tjera relevante.
Kërkimi i faljes është kulturë globale. Neve në botë shohim presidentë, kryeministra, ministra, dijetarë, profesorë të nderuar që dalin e kërkojnë falje apo të paktën shprehin keqardhje.
Përveç se është kulturë globale gjithashtu mund të konsiderohet edhe si obligim institucional, shoqëror, e moral, për ata që mund të kenë gabuar.
Më 10 qershor, të festojmë, të përkujtojmë, të këndojmë e të recitojmë, por para së gjithash, falje të kërkojmë. Besoj se kjo do ta bëjë këtë datë edhe më të kuptimtë. Pra ashtu siç do të duhej të ishte.
Për fund, duke ju kërkuar e duke pritur falje, populli ynë i dashur, ta dimë se të gjithë jemi trashëgimtarë të kësaj historie. “Lidhja” na bashkoftë të gjithëve ashtu sikur na pati bashkuar më 10 qershor 1878!
Nga: D. Kabashi – B. Kollani
10.06.2013