Lajme

1001 arsye për bashkangjitjen e Preshevës me Kosovën

Ishte pranverë e vitit 2001. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvgjë po dorëzonin armët derisa qeveria serbe po miratonte planin e saj për inkuadrimin e shqiptarëve nëpër të gjitha organet shtetërore, përfshirë edhe revitalizimin ekonomik të rajonit, ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore, etj. Dokumeti i Beogradit zyrtar ishte hartuar qartazi ndërsa realizimi i tij ishte afatizuar për tre vjet. Këto dy elemente do të shpienin në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes në Luginë ku garantues i saj ishte caktuar të jetë KFOR-i, gjegjësiht NATO.
Por se gjërat nuk do të merrnin kahjen e dëshirueshme u vërejt që në fillim. Tre ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, saktësisht në ditën e fundit të demitarilizimit, forcat serbe vrasin Ridvan Qazimin, komandant Lleshin, njërin nga udhëheqësit kryesorë të UÇPMB-së, njëkohësisht edhe shefin e Grupit Negociues të palës shqiptare karshi Serbisë.
Përkundër kësaj ngjarjeje e cila trondit shqiptarët jo vetëm në Luginë, me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare nisë përmirësimi deridiku i infrastrukturës, krijohet një forcë multietnike policore dhe mbahen zgjedhjet e para të lira e demokratike sipas sistemit proporcional, duke e shfuqizuar kështu sistemin e vjetër zgjedhor të shumicës, ku që në start me ndarjen e njësive zgjedhore serbët favorizoheshin tej mase.
Sot, pas shtatmbëdhjetë vjetësh, pozita e shqiptarëve jo që është përmirësuar por ajo është degraduar skajshmërisht.
Plani qeveritar serb ka mbetur një letër e kalbur, ndërsa organi i cili do duhej zbatuar atë, Trupi Kordinues, shpeshherë ishte shndërruar në një oazë të gjeneralëve të policisë dhe të ushtrisë serbe. Si përfundim, shqiptarët nuk fituan gati asgjë, por përkundrazi ata fituan dëshprimin, lodhjen, humbjen e shpresës, etj. Dhe, si pasojë e diskriminimit i cili sa vihej e shtohej, epilogu s’ka se si të ishte ndryshe përveç se katastrofal. Asnjëherë nuk u duk në horizont inkuadrimi, punësimi, mirëqenia….por u “ përfitua “ zbrazja graduale e Luginës. Për këtë flet më së miri zvoglimi i numrit të nxënësve nëpër shkolla. P.sh. Shkolla Fillore “ Muharrem Kadriu “ në Tërrnoc, ku edhe unë kisha vijuar mësimet, në vitin 2001 kishte mbi 1200 nxënës ndra sot numri i tyre nuk kalon 500-ishin.
Sferat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve:
Siguria:
Kthimi i përgjegjësisë të Zonës Tokësore të Sigurisë e më pas edhe asaj ajërore nga mbikqyrja e Kforit tek forcat serbe, rajonin e Luginës e ka shndërruar në një bazë militare të të gjitha njësiteve ushtarake dhe policore. Këto formacione asnjëherë nuk kanë qenë të mirëpritura tek popullata shqiptare por përkundrazi kanë shtuar dozën e frikës duke sjellë edhe pasiguri shtesë. Edhe sot e kësaj dite, për dallim nga pjesa tjetër e Serbisë, mund të shohësh efektive të xhandarëmrisë të maskuar, të kamufluar dhe me armatim të rëndë, të cilët përveç “ defilimit “ krijojnë post blloqe lëvizëse për ndalim të qytetarëve.
Edhe përkundër numrit të madh të njësiteve militare, gjatë kësaj kohe kanë ndodhur me qindra incidente të cilat nuk janë zbuluar asnjëherë, kurse disa të tjera janë realizuar qëllimisht për përfitime politike.
Nga periudha e pas luftës në Kosovë, në Luginë janë vrarë dhjetëra civil shqiptarë ndërsa autorët as që janë zbuluar ndonjëherë. Rasti më i rëndë mund të konsiderohet vrasja e fëmiut shqiptar në afërsi të zonës kufitare me Maqedoninë, ndërsa si të dhimbshme janë edhe shumë kidnapime për fatin e të cilave nuk dihet asgjë. Në të njejtën periudhë kohore është kryer spastrimi etnik ku janë zhvendosur mëse dymbëdhjetë mijë perosna, kryesisht në Kosovë, ndërsa shteti serb nuk ka bërë asgjë për kthimin e tyre. Janë arrestuar dhe keqtrajtuar qindra persona nën pretekste të ndryshme, kurse të paktën tre herë kanë ndodhur arrestime “ spektakulare “ për përfitime politike dhe tërheqje të vëmendjes nga problemet reale në Serbi. Ndër më të rëndat janë arrestimet e të shtuquajturit “ Grupi i Gjilanit “ dhe “ Grupi i Bujanocit “ ku edhe përkundër amnistisë së fituar target kryesorë ishin ish-ushtarët e UÇPMB-së. Madje, rasti i dytë kishte ndodhur gjatë heshtjes zgjedhore në Serbi dhe siç u kuptua më vonë, ishte realizuar nën udhëheqjen e Ivica Daçiqit me qëllim të pritimeve në zgjedhje të partisë së tij SPS.
Pas toturave të përjetuara dhe pas shumë vitesh apo muajsh të kaluar në burgjet serbe, me realizimin e interesave politike, të gjithë të arrestuarit ishin shpallur të pafajshëm.
Në ndërkohë, janë kryer edhe shumë procese të montuara politike, me qëllim të vetmin shtimin e pasigurisë tek qytetarët. Si rezultat i këtyre metodave të përdora, pjesa dërmuese e ish-pjesatrëve të UÇPMB-së ka qenë e detyruar ta braktisë Luginën.
Policia lokale e krijuar gjatë vitit 2001 ka pësuar ndryshime të mëdha etnike. Numri i policëve shqiptarë është zvogëluar për rreth 20 pëqindë ndërsa i njejti është mbuluar me serbë të ardhur nga zona të ndryshme të Serbisë. Struktuarat komanduese drejtohen nga serbët, psh, edhe pse shumcë dërmuese në komunë të Bujanocit janë shqiptarët, stacioni policor drejtohet krykput nga kuadro serbë, ndërsa për krijimin e policisë rajonale as që mundet të flitet.
Gjygjësori:
Preshevës ka kohë që i’u është hequr Gjykata Themore, Bujanocit ajo i’u është rikthyer, ndërsa edhe përkundër strukturës nacionale të popullsisë janë serbët ata që mbizotërojnë, përfshirë edhe kyetarin e saj. Në Medvegjë gjendja është alarmante, ndërsa shkalla e dytë e gjykatës është e vendosur në Vranjë dhe Leskovc, pa asnjë kuadër shqiptarë. Ngjashëm është edhe prokurorinë kurse Gjykata më e afërt ekonomike ka selinë në Leskovc, 90 km larg Bujanocit e 110 km larg Preshevës. Gjykata më e afërt e apelit është e sistemuar në Nish rreth 150 km nga vendbanimet më të populluara me shqiptarë në Luginë.
Arsimi:
Përkundër Marrëveshjes së arritur në Bruksel, Serbia akoma nuk i njeh diplomat e Kosovës dhe kjo bënë që të rinjtë Luginën e konsiderojnë të pa perspektivë, duke u mbetur si mundësi e vetme zhvillimi professional në Kosovë, Shqipëri e Diasporë.
Edhepse kemi hyrë thellë në shekullin 21, nxënësit e Luginës akoma mundojnë të përfitojnë dije me metodat e gjysmës së shekullit të kaluar, me mbajtjen e shënimve. Kjo, ngase shteti serb akoma nuk u’a ka zgjidhur çështjen e përdorimit të teksteve dhe mjeteve mësimore.
Për inovacione as që mund të flitet në Luginë për shkakun se ky shtet bënë diskriminim të qartë me pjesët tjera që janë poashtu nën administrimin e tij.
Shëndestësia:
Serbia kurrë se ka pa të udhës hapjen e spitalit rajonal në Luginë edhepse egzistojnë të gjitha parametrat ligjore se kjo i takon regjionit. Kështu, pacientët shqiptarë shërbimet spitalore duhen kërkuar në spitalin rajonal të Vranjës ku nuk ka të punësuar asnjë bashkëkombas të tyre.
Në sferën e shëndetësisë primare, shumë mjek sillen nga qendrat tjera të Serbisë, duke u’a nxënë vendin shqiptarëve të cilët si pasojë e mos pranimit të diplomave mbesin të papunë.
Ekonomia:
Të gjitha investimet përfundojnë në Vranjë, qytetin e fundit në jug të banuar etnikisht me serbë. Heshturazi, është politikë shtetërore që rajoni i Luginës të konsiderohet si pasigurt, kështu që investitorët që në start dekurajohen për të krijuar reparte punuese në këtë rajon.
Madje, shteti inkurajoj edhe serbët lokal për të penguar blerjen e pronave shtetërore. Rasti i Banjës së Bujanocit ishte më flagranti kur një qyetar nga Tuqia me prejardhje nga komuna eBujanocit deshi të blejë atë. Serbët lokal e kundërshtuan ashpër këtë hap gjë që solli tek tërhqeja e investotiri për shkak të elementit të pasigurisë. Edhe transformimi i shumicës së pronave shoqëroe në Luginë ka stagnuar ngase që në start shteti vë kushte qëllimisht të papërballueshme për blerësit potencial shqiptarë.
Ka raste kur shteti ka shkaur edhe më larg se aq. Në vitin 2004 një bashkëpunëtorë i imi bleu një fabrikë të industrisë së materialit ndërtimor në qytetin e Vlladiçin Hanit i banuar nga serbët. Edhe pse i kaloi të gjitha procedurat e ankandit publik, të nesërmen desh u linçua nga serbët e motivuar nga politika. Si pasojë e presionit, ishte vet Ministria e Financave që pas disa ditësh i’a anuloi blerjen.
Pas katërmbëdhjetë vjetësh ai fitoi të gjtha lëndët në gjykatat serbe, madje edhe në ato ndërkombëtare, por shteti serbë asnjëherë nuk i përfilli këto vendime, duke u’a mohuar qoftë kthimin e fabrikës qoftë dëmshpërblimin.
Për dallim nga pjesët tjera të Serbisë, ndërmarrësit në Luginë apo bujqit gati fare se nuk subvencionohen nga shteti. Edhe pak nga mjetet që i ndante trupi kordinues, së fundi edhe ato u bllokuan.
Gjitha këto kanë bërë që investoitori më i madh të jetë diaspora e cila tashmë paraqet gati gjysmën e shqiptarëve të Luginës.
Mediat:
Shqiptarët nuk kanë të garantuara frekuenca në spektrin audio-vizuael. Për dallim nga Koosva dhe Maqedonia, mediave shqipe u duhet qasur një konkurrence të lirë.
Popullata shqiptare akoma nuk ka asnjë minut program në gjuhën shqipe në transmetuesin publik-RTS, i cili posedon platformë dhjetëra kanalëshe qoftë të radios ashtu edhe të televizionit.
Edhe mjetet finaciare të cilat ndahen nga Ministria e Kulturës dhe e Mediave në Serbi shpesh diskriminojnë shqiptarët. Atyre u ndahet mjete simbolike kurse në emër të informimit shqip përfitojnë mediat qendrore të Beogradit.
Media në gjuhën shqipe përballet me presione të ndryshme të karaketrit ekonomik por edhe penal.
Personalisht por edhe kompania mediale që i përkas ka qenë objekt i dënimeve drakoniane nga ana e gjykatave ekonomike me pretekst të drejtave autoriale të muzikës. Pramendoni, një medium i cili emeton program në gjuhën shqipe është dashur të paguaj të holla për veprat e kompozitorëve dhe interpretarorëve serbë.
Të mos flasim për kontrollet e porositura të inspeksioneve finansiare të cilat shpesh herë janë përcellur edhe me përforcime policore. Ka pasur raste ehe kur disa kolegë janë gjykuar vetëm për shkak të transmetive të lajmeve, me një fjalë të deklaratave të bashkëbiseduesve.
Kultura:
Sikurse në media edhe në kulturë Serbia shumë pak ndan mjete. Kështu që artistët e Luginës janë lënë në mëshirën e fatit, kurse ka ndodhur shumë herë që artsitët kosovarë që është dashur të performojnë në Luginë të mos lejohen të hyjnë në serbi.
Përdorimi i gjuhës dhe shkrimit, i simboleve kombëtare si dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike:
Ligji serb nuk e lejon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptarë duke e cilësuar atë si një simbol të një shteti tjetër,në këtë rast të Shqipërisë. Efektet e këtij Ligji i kanë ndier disa të rinj shqiptarë të cilët janë gjykuar për shak të vendosjes së tij në godinat e komunave në Bujanocit dhe Preshevës me rastet e shënimit të “28 nëntorit”.
Shumica e dokumenteve akoma figurojnë vetëm në gjuhën serbe, si ato civile ashtu edhe komerciale, si, faturat e ryymës, telefonisë, etj.
Kohëve të fundit, Ministria Serbe e Infrastrukturës përmes kompanisë së rrugëve “ Putevi srbija “ të gjitha emërtimet e vendbanimeve shqiptare përgjatë rrugës Bujanoc-Preshevë i kishte vënën në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik.
Komuna e Bujanocit kishte marrë vendim për emërtimin e sheshit të qytetit nga “ Karagjorgje Petroviq “ në Skënderbeu, por ministria përkatëse serbe asnjëherë s’e kishte përillur një vendim të tillë.
Shteti serb nuk ka përfilluar as vlerat kombëtare, siç ishte rasti i heqjes ë lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë si dhe ka paralajmëruar se lapidaret apo pllaka përkujtimore të kjëtij karakteri do të hiqen nga të gjitha vendbanimet e Luginës.
Inkuadrimi në organet shtetërore:
Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë më shumë me përjashtim.
Serbia ka me qindra inspektoriate apo agjencione shtetërore të cilat shtrihen në nivelet rajonale dhe lokale. Dhe, këtu numri i shqiptarevë është mëse i papërfillshëm.
Postet më të larta që shqiptarët kanë mbajtur në nivelin qëndror kanë qenë praktikantë në ndonjërën nga ministritë.
Sporti:
Në vend se të afirmojë vlerat e saja multietnike të cilat zakonisht pasqyrohen përmes sportit i cili konsiderohet edhe si urë lidhëse midis popujsh, Serbia është treguar shumë armiqëore.
Shumëkush ka qenë dëshmitarë i eventeve sportive kur janë ndeshuar skuadrat shqiptare me to serbe, kryesisht në futboll. Ekipet shqiptare jo që janë dëmtuar nga organizatorët e garave përmes arbitrave për të arritur në shkallë më të lartë , por sportistët dhe kombi ynë është fyer në mënyra më të ndryshme nga tifozëria serbe. Në shumë raste, fyerjet mbi baza nacionale kanë kaluar limetitet duke u lënë vend edhe fyerjeve në baza fetare.
Çfarë fiton Lugina në rast se i bashkangjitet Kosovës?
Me një fjalë i fiton të gjitha ato gjëra që i kishte të mohuara deri më tash. Fillimisht, secili shqiptarë do ta ndjente dorën e shtetit të vet dhe sigurinë që u ofron ai, pa marrë parasysh se çfarë të metash ka.
Nuk do ta ketë ndjenjën e frikës së lëvizjes së lirë pasi ka të bëjë me mbisundimin e forcave militare të kombit të vet, qofshin ato policore apo ushtarake.
Secili shqiptarë do ta shijonte kënaqësinë e uniformës së shtetit të vet. Çdo kush që ka ambicie, me dinjitet të plotë do mund të bëhet pjesëtarë i shërbimit sekret, të gradohet në polici e ushtri. Do mund të bëhet pilot dhe të fluturojë mbi qiellin e atdheut të vet deriku ai të shtrihet. Do të jap maksimumin në ruajtjen e kufirit shtetëror, etj.
Edhe investimet qofshin private apo afariste do të realizoheshin me shumë siguri, kurse përfaqësimi në sport dhe kulturë do të jetë krenari për të gjithë. Kryeqendra e shtetit do të jetë 80 km e jo 400 km.
Të gjitha këto sjellin gjallëri në Lugië dhe përfundimisht eliminojnë frikën të shoqëruar me mantrën e saj se “ nuk i dihet se çfarë po na përgatit serbi “.
Në vazhdim po sjellim shkoqitazi edhe refalekset ekonomike që mund t’i sjell bashkangjitja e Kosovës me Luginën.
Po fillojmë me sektorin publik, sidomos nëse Lugina bëhet regjion në Kosovë.
Hapja e qendrës rajonale spitalore që nënkupton punësimin e rreth 150 mjekëve dhe infermierëve.
Krijimi i policisë rajonale, dhe kur kihet parasysh se Lugina do të jetë si zonë kufitare si me Serbinë ashtu edhe me Maqedoninë, aftësimi dhe punësimi i rreth 300 policëve të rinj.
Gjykatat themelore në Bujanoc dhe Preshevë, një gjykatë e lartë, degët e gjykatës së apelit dhe ato ekonomike do të nënkuptonin minimum rreth 200 kuadro.
Përfshirja në FSK apo ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Edhe këtu duke e patur parasysh elementin e zonës kufitare, do të paraqiste inkuadrimin e rreth 400 kuadrove të reja. Po shtrirja e agjencioneve dhe inspektoriateve nga niveli qendror në atë rajonal , edhe ajo do të inkuadronte rret 100 kuadro profilesh të ndryshme, ndërsa i kuptueshëm do të jetë edhe përfaqësimi në bordet e resurseve shoqërore.. Hapja e ndonjë dege universitare poashtu do të gjeneronte punësim për stafin akademik.Edhe përfaqësimi politik do të rritet dukshëm, qoftë në nivel deputetësh, ministrash, këshilltarësh,etj.
Gjithashtu edhe elementi afarist do të shënonte një bum të vërtetë. Shtrirja rajonale dhe lokale e postës dhe telekomit, zinxhirëve ekonomik si “ Viva “, Hib petrol “, Elcos “, e shumë e shumë të tjerë padyshim se do të krijonin qindra vende të reja pune.
Si finalizm, lirisht mund të konstatohet se Lugina në Kosovë mund të pasurohet me 2000 vende të reja pune e që si rrjedhojë me automatizëm krijojnë edhe 2000 vende tjera.
Ndokujt, kjo mund t’i duket si shaka me matematikë, por “ çmimi “ i bashkangjitjes i posedon këto veti.
Secili do e gjej veten diku e do i pëlqente diçka. Psh, mua do të më mjaftonte shikimi i ndeshjes së futbollit në super ligë midis një ekipi të Luginës me ndonjë ekip të pjesës tjetër të Kosovës. Që tani po e paramendoj atmosferën me 5000 shikues. Një shok i imi më tha se do të dëshironte që djali i tij të bëhet gjeneral në ushtrinë e Kosovës, kurse tjetri, vajzën e cila është kah fundi i studimeve me dëshirë do të shihte si ambasadore në ndonjë vend të botës.

Shkruar nga Jeton Ismaili

Related Articles

Back to top button