“Rahovica vendbanim Dardan”
Fshati Rahovicë është një vendbanim rural, i cili shtrihet në perëndim të Fushës së Preshevës, rrëzë shpateve lindore të Karadakut të Preshevës. Rahovica ndodhet rreth një kilometër e gjysmë në veri të qytezës së Preshevës, përmes së cilës kalon rruga
lokale Preshevë – Bujanoc, e cila lidhë fshatrat: Rahovicë, Corroticë, Shoshajë e Poshtme, Raincë, Letovicë, Nasalcë,Lluçan. Me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, kjo rrugë është bërë një arterie e rëndësishme për Rahovicën dhe fshatrat e tjerë që ka ndikuar në transformimin më të shpejtë të strukturës sociale – ekonomike.
Rahovica ka rreth 1200 shtëpi dhe numëron një popullsi rreth 5200 banorë. Mbështetur në numrin e shtëpive dhe të banorëve, Rahovica, pas Tërnocit të komunës së Bujanocit, është vendanimi më i madh në Luginën e Preshevës. Mbi fshatin Rahovicë, në anën e djathtë të daljes së lumit në fushën e Rahovicës, ndodhet OPIDUMI dardan “Kacipupi’’, lokalitet
arkeologjik, i cili dëshmon praninë e popullatës dardane në këtë rajon. Përveç kacipupit, Rahovica posedon edhe një varg monumentesh të trashëgimisë kulturore siç janë: lokaliteti Përroi i Manastirit, kisha në veri të lumit, xhamia e vjetër në mes të fshatit,
xhamia e Durçajve në anën e majtë të rrugës në hyrje të fshatit prej nga Presheva, xhamia e re, poashtu në anën e majtë të rrugës Rahovicë – Corroticë, rrëzë Përroit të Kajës etj.
Emri Rahovicë rrjedh nga emri Arhilevica që daton nga
shekulli XIV, me qenë se përmendet në hartën e Despotes Jevdokija dhe të birit të saj, Konstatin Dejanoviqit, kur kisha e Rahovicës (Arhilevicës) i bashkangjitet manastirit të Hilendarit. 1) Rahovica si vendbanim është i njohur që nga periudha antike, si vendbanim dardan. Për këtë dëshmon Kacipupi, Opidumi dardan, i cili gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës. Pjesa jugore e Kacipupit është e kalueshme
nëprëmjet Tumës, për të cilën ekziston mendimi se është ngritje artificiale dhe nuk dihet saktë kur është ndërtuar.
Për të thuhet se është ngritur për t’u mbrojtur prej armikut sepse në anën verilindore vet Kacipupi është mbrojtje
natyrore prej armikut.
Në rrafshin në mes të Kacipupit dhe Tumës janë gjetur
pjesë të enëve të qeramikës të periudhës Helene dhe të
periudhës së mëvonshme të hekurit. Sipas hulumtimeve
arkeologjike vendbanimi dardan, Kacipupi i takon shekullit VII-VI para epokës së re.
Rahovica në shekullin XVI kishte një popullatë kryesisht të krishterë, me numër të vogël të besimit mysliman. Sipas statistikës të regjistrimit në shekullin XVI në Kadillëkun e Vranjës, struktura e popullates ishte si vijon: më 1519 kishte 48 familje të krishtera dhe 6 familje myslimane, më 1528 kishte 41 familje të krishtera dhe asnjë myslimane dhe më 1570 kishte 6 familje të krishtera dhe 12 familje
myslimane.
Sipas kësaj statistike mësojmë se në vendbanimin Rahovica, numri i banorëve ishte i vogël, duke u
mbështetur në numrin e familjeve që sillej reth 75 familjeve. Numri i vogël i familjeve myslimane na lë për të kuptuar se shekulli XVI është fillimi i islamizimit në këto
anë. Numri i popullsisë në fshatin Rahovicë dukshëm do të fillojë të rritet prej shekullit XVIII, me ardhjen e shqiptarëve të besimit mysliman nga Shqipëria veriore dhe më vonë edhe ardhja e serbëve nga vende të
ndryshme të Sërbisë.
Sipas shënimeve të Jovan Trifunovskit, Rahovica më 1951 kishte 275 shtëpi. Ndër të parët të ardhur në Rahovicë nga Shqipëria janë Durçajt e fisit Sopë, në gjysmën e dytë të
shek. XVIII (18).
Çitakët vullnetarisht kanë kaluar në Islam, para ardhjes së myslimanëve. Për t’u barazuar me shqiptarët tjerë pranuan fisin Berishë. Kishajt, të fisit Thaç, të ardhur nga Shqipëria veriore.
Haxhiajt, të fisit Gash, të ardhur më vonë se familjet e
përmendura.
Myrtajt, të fisit Gash, të ardhur nga Malësia.
Hashanët, të fisit Gash, të ardhur në gjysmën e parë të
shek. XIX. dhe sipas vendvendosjes disa janë radhitur në lagjen e Haxhiajve e disa në lagjen e Sejdave. Krumajt, të fisit Berishë, Korbajt, të fisit Gash, sikurse edhe Ibishajt, Muhaxhirët, të fisit Hot, të ardhur më 1878
nga Masurica, të gjithë të radhitur në lagjen e Sejdave. Në Rahovicë ka edhe grupe familjesh të ardhur në mënyra të ndryshme si p.sh. të ardhur në shtëpi të gruas, të ardhur si fëmijë të adoptuar etj.
Pavarësisht nga origjina e banorëve të Rahovicës, nga
kanë ardhur, kur kanë ardhur dhe cilit fis i takojnë, sot
Rahovica i ka gjashtë lagje – mahallë: Mëhalla e
Myrtajve, mëhalla e Haxhiajve, mëhalla e Sejdave,
mëhalla e Durçajve, mëhalla e Çitakëve dhe mëhalla e
Kishajve. Në disa shkrime kam hasur një numër mbi
dhjetë lagje – mëhallë. Autorët e atyre shkrimeve kanë
ngatërruar grupet e shumta të familjeve të ndryshme me lagjen – mahallën. Për shembull në mëhallën e Myrtajve janë disa grupe familjesh siç janë Haxhidiktë, Beqirtë, Maçtë etj., por të gjitha këto grupe familjesh bien në mëhallën e Myrtajve ose grupet e familjeve siç janë: Qazimët, Ajdintë, Aliajt, Asllante etj, nuk janë mëhallë më vete, por janë në mëhallën e Haxhiajve. Grupe të këtilla familjesh ka edhe në maëhallët e tjera, por nuk duhet ngatërruar me kuptimin e mëhallës.
Në Rahovicë ka pasur edhe familje serbe. Shumica prej tyre të ardhur pas viteve 1878 dhe 1912. Sërbët ishin të ardhur nga Pçinja, Vranja, Kuqura, Shipranca, Ristovci e nga vende të tjera të Sërbisë. Në Rahovicë kanë qenë rreth 40 familje, por sot Rahovica është etnikisht e pastër shqiptare.
Deri në vitet 60’ të shekullit të kaluar në Rahovicë kishte edhe maxhup (romë). Ata nuk posedonin pasuri të patundshme dhe shumica prej tyre shërbenin si rrogtarë (momqi) në familje të pasura shqiptare. Edhe romet ishin të ardhur nga Kumanova dhe nga Presheva. Disa fjalë për arsimin dhe shkollat e para në Rahovicë. Pas luftërave serbo – turke të vitit 1878 deri 1912 fillojnë negociata për hapjen e shkollave në gjuhën
serbe sipas një marrëveshjeje, më 1906 hapet shkolla
e parë në gjuhën serbe në Preshevë. Me mbarimin e
Luftës së Parë Botërore, më 1921 hapet shkolla e parë në gjuhën serbe në Rahovicë, ku mësimi zhvillohej me alfabetin cirilik. Mësimdhënësit ishin të përkatësisë serbe. Për këtë qëllim në Rahovicë ndërtohet shkolla e
parë – Mejtepi, më 1933.
Arsimi në gjuhën shqipe për herë të parë fillon pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht pas LNÇ-së më 1945. Shkolla e parë në gjuhën shqipe në Rahovicë
hapet në muajin shkurt 1945. Mësuesi i parë ka qenë
Hysen Struga. Vitet e para pas hapjes së shkollave
shqipe, nuk kishte as mësues që dinin shkrim – lexim në gjuhën shqipe as objekte shkollore. Për mësim janë
shfrytëzuar dy objekte shkollore të ndërtuara për mësim
në serbisht, ai te varrezat e Durçajve (xhamia e sotme)
dhe objekti në oborrin e xhamisë (xhamisë së vjeter), i
cili shërbeu për mësim deri në vitin 1967, kur është
ndërtuar objekti shkollor që edhe sot është në shërbim.
Në shkollën fillore katërklasëshe kanë punuar këta
mësues: Hysen Struga, Demirali Ramadani, Emin
Ramadani, Bejxhet Sejdiu, Demir Emërllahu, Zejush
Shabani, Abedin Mehmeti, Nexhat Boriçi, Zija Miftija,
Ramiz Duraku, Qahil Bajrami, Hava Hyseni, Ziqavete
Veliu, Fehmi Kelmendi, Fejzi Ahmeti, Ramadan Ahmeti,
Ejup Ahmeti dhe Bilall Qerimi. Fshati Rahovicë deri në vitin 1968 kishte vetëm xhaminë e vjeter, në mes të fshatit, e cila është ndërtuar në vitin 1860/62 (sipas një shënimi tjjetër është ndërtuar më 1810) dhe është rindërtuar në vendin e xhamisë së vjetër më 1971/72. Xhamia e dytë, e quajtur xhamia e Durçajve, është ndërtuar më 1968. Xhamia e re e ndërtuar më 2006 gjindet në anën e majtë të rrugës Rahovicë – Corroticë, buzë Përroit të Kajës.
Si përfundim, do të përpiqem të pasqyroj rritjen dhe rënien e Rahovicës nëpër shekuj dhe rritjen dhe rënien e nxënësve prej shkollës së parë shqipe, më 1945 e gjer më sot, më 2018.
Nuk ka dyshim se vendbanimi i parë në Rahovicë ishte Kacipupi, vendbanim Dardan i shekullit VII-VI para epokës së re. Shtrirja e e popullatës në vende të ulta në Rahovicë – në Arhilevicën e atëhershme në shekujt e mëvonshëm të epokës së re. Kështu Rahovica, siç kam shënuar më lartë, më 1570 kishte vetëm 75 familje, ndërsa më 1951 kishte 275 shtëpi dhe sot Rahovica numëron rreth 1200 shtëpi, me mbi 5000 banorë. Sipas këtyre shënimeve statistikore vërejmë se fshati Rahovicë me të madhe është rritur këto shtatë deceniet e fundit. Sa i përket shtimit dhe rënies së nxënësve për shtatë
deceniet e fundit gjendja është si vijon: Me 1945/46 në klasë të parë ishin 16 nxënës, më 1970/71 në klasë të parë ishin 98 nxënës; më 1975/76, 120 nxënës, më
1990/91, 113 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor, 28 vjet më vonë, më 2018/2019, në klasë të parë janë të regjistruar vetëm 30 nxënës.
Dhe krejt në fund, mjerisht, më duhet të përfundoj se Rahovica vërtet i ka rreth 1200 shtëpi, por jo 5000 banorë, sepse mbi 60 % e këtyre banorëve jetojnë dhe krijojn familje në diasporë dhe Rahovica po rritet me shtëpi, por po zvogëlohet me banorë. Dëshmi e mirë për këtë është edhe rënia drastike e numrit të nxënësve në shkollë, kur sot 28 vite më vonë kemi rreth ¾ më pak nxënës edhe në klasë të parë edhe në numrin e përgjithshëm në shkollë sepse shkolla e Rahovicës më 1992 kishte 820 nxënës e sot numëron vetëm 340 nxënës. Kjo është brenga më e madhe e ditëve tona, jo vetëm e
Rahovicës. Evropa po na gëlltitë si balta e gjallë. E dhimbshme dhe tragjike, por ky është realiteti i kohës që po e jetojmë.