Media gjermane: Thaçi- Vuçiç në München, si dy nxënës që kacafyten në oborr të shkollës
Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se presidenti i Kosovës në Konferencën e Sigurisë në München u përgjigj «ngathët». Kryetarit serb jo vetëm që iu dha dukshëm më shumë kohë për t’u përgjigjur, por shefi i Konferencës Wolfgang Ischinger atij ia dha fjalën edhe në fillim, edhe në fund. Në München presidenti Hashim Thaçi nga organizatorët u prezantua si presidenti Republikës së Kosovës me fusnotë. As Thaçi, as Vuçiq nuk e përmenden shkëmbimin e territoreve – dhe kjo ra në sy në München.
Ewald-Heinrich von Kleist ka qenë oficer gjerman dhe më 1944 kryengritës kundër regjimit të Adolf Hitlerit. Pas Luftës së Dytë Botërore ai themeloi atë që sot njihet si Konferenca e Sigurisë në München, e cila mbahet çdo vit nga mesi i shkurtit dhe është forumi më i rëndësishëm ku takohen politikanët dhe ekspertët e fushave të ndryshme për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë. Të dielën kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, u nderuan me Çmimin Ewald-Heinrich von Kleist për zgjidhjen e konfliktit mbi emrin e Maqedonisë. Pasi ata treguan se si e arritën këtë sukses, në skenë u ftuan kryetari i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) shkruan se debatin mes Thaçit dhe Vuçiqit (pjesë e të cilit ishte edhe komisari i BE-së, Johannes Hahn) e moderoi vetë Wolfgang Ischingeri, i cili si diplomat gjerman ka mjaft përvojë me ngatërresat ballkanike, së fundi si ndërmjetësues i BE-së para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ischinger i pyeti kryetarin e Kosovës dhe atë të Serbisë se përse nuk po u shkonte për dore ajo që arritën Cipras dhe Zaev.
Sipas «Frankfurter Allgemeine Zeitung» së pari u përgjigj Vuçiqi, të cilit iu dha dukshëm më shumë kohë se Thaçit dhe po ashtu atij (Vuçiqit) iu lejua të flasë në fillim dhe në fund. Vuçiq tha se Serbia i ka plotësuar të gjitha pikat e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, zgjedhjet në veri të Kosovës janë mbajtur sipas ligjeve kosovare dhe më 2017 Serbia nuk ka kundërshtuar që Kosova të ketë prefiksin e vet telefonik ndërkombëtar. Vuçiq tha se Kosova ka pasur vetëm një obligim, themelimin e bashkësisë së komunave serbe, por për 2126 ditë Kosova, sipas Vuçiqit, nuk bëri gjë. Vuçiq vazhdoi me akuza të tjera: ai tha se Kosova është përpjekur të hyjë në UNESCO dhe në Interpol kundër vullnetit të Beogradit, por kur kjo dështoi, Kosova vendosi tarifa ndëshkuese.
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se Thaçi u përgjigj «ngathët», duke thënë se themelimi i një asociacioni të komunave mund të bëhet vetëm nëse është në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. «Ai nuk e përmendi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur ilegale themelimin e bashkësisë së komunave serbe në formën siç e dëshiron Beogradi». Sipas FAZ përmendja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të kishte qenë e dobishme në mënyrë që të pranishmit të kuptonin përse nuk është themeluar asociacioni i komunave serbe, i cili do të ishte në fakt «shtet brenda shtetit». As Vuçiq, as Thaçi nuk e përmendën në München idenë e shkëmbimit të territoreve, që ka filluar të qarkullojë nga viti i kaluar.
Gazeta gjermane e përshkruan atmosferën gjatë debatit mes dy kryetarëve si të akullt, ku në fillim Thaçi i drejtohej Vuçiqit me «presidenti Vuçiq», por pasi ky disa herë e quajti «zoti Thaçi», edhe kosovari hoqi dorë nga titulli i homologut të tij. «Frankfurter Allgemeine Zeitung» i përshkroi Thaçin dhe Vuçiqin si dy nxënës që kacafyten në oborr të shkollës. Debati mes tyre u zhvillua me akuza dhe kundërakuza, Vuçiq pyeti: «A besoni se nuk mund t’ju dëmtojmë?», Thaçi përmendi krimet serbe në Kosovë dhe tha se Vuçiqi ende nuk e ka kuptuar se «unë jam president i një vendi sovran». Nëse konflikti mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk u zgjodh për 28 vjet, atëherë duke u nisur nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 Thaçi e Vuçiqi kanë kohë deri në vitin 2036 për të gjetur një zgjidhje, shkroi gazeta gjermane me sarkazëm. Edhe në München presidenti Hashim Thaçi nga organizatorët u prezantua si persidenti Republikës së Kosovës me fusnotë.