Përse ikin njerëzit?! Në cilin stacion të dhimbshëm ndalen?
Shkriam: Urim SALIHU
Dikur kishte varfëri, por kishte edhe njerëz .Sot nuk janë njerëzit por varfëria është akoma këtu.
Zbrazët janë rrugët në këtë vend mbi Tokë, sa trishtueshëm tingëllojnë vargjet e Ezra Paundit derisa hedh vështrimin dhe të mbyt gjithë ajo zbrazëti.
Përse ikin njerëzit?! Në cilin stacion të dhimbshëm ndalen.Po kjo nuk është më ikje, sepse është më keq se sa kjo- është shpërngulje.
Që autobusët mbushen secilën ditë dhe njerëzit arratisen drejt fatit kundër jetës mizore këtu kjo dihet, por a do të kthehen ndonjëherë.
Albani ka diplomuar dhe duke shpresuar për një vend pune , nuk mundi më të presë.Ai ka lënë një baba të sëmurë dhe është nisur.Ndoshta nuk do ta gjejë më kurrë të gjallë kur do të kthehet një ditë.Ndoshta ai ka ikur përgjithmonë
Si shumë të tjerë edhe ai vendosi për jetën e tij që sado e zezë të jetë atje në atë stacion ku ai nuk e di se ku do shkojë, është shumë më e bardhë se jeta këtu, pa para, pa asgjë.
Tek i shikon fshatërat të duket cdo gjë si në filmin ” Vitet e ikjes” ku njerëzit ose kthehen në pleqërinë e thellë, ose nuk kthehen më asnjëherë.Kthehen vetëm të prehen në paqë , të harruar nga atdheu, të largët nga fëmijët e tyre që kurrë nuk e ndjenë dashurinë e një prindi dhe gratë që pritën një jetë të tërrë malli dhe u tretën duke pritur dhe parë se si vijnë dhe shkojnë stinët.
Por si mund ti ndalësh ata.Si mund tu thuash prisni edhe pak kur shumë prej tyre sytë i kanë drejtuar kah humnera ,varfëria që i godet me gjithë forcën.Si mund tu garantosh këtyre fateve të këputura dicka që nuk e ke në dorë?!
Ndoshta përtej largësive ndodhet një fat i mirë.Ndoshta atje është një atdhe tjetër sepse të tillë atdhe nuk mund ta dojë askush.Në fund të fundit është vetëm një jetë.E jetuar në torturë dhe makthe nuk ia vlen.Fatin e njerëzve s’mund ta ndryshojnë ata që i nënshtruan njerëzit deri në këtë pikë dëshpërimi duke menduar në secilën ditë të jetës së tyre arratisjen.