C’ke o shpirt i shqetesuar!!? O shpirt i mërzitur!
O shpirt i mërzitur! Mos e kujto të kaluarën. Harroje atë. Nuk ke pse të lidhesh me të e ta mbash veten pengë të saj. Mos u bë pengë!
Ç’ke o shpirt i shqetësuar, që gjithçka po të shqetëson! Shqetësim, kur ti brenda teje i qetë s’je. Kërkon diçka, që ti as vetë nuk je në gjendje ta kuptosh! Pse nuk qetësohesh, e ta freskosh zemrën tënde duke përkujtuar se, shqetësimet e tepërta, të ndalojnë çdo lëvizje brenda teje; të bëjnë të paaftë të mendosh, e të bëjnë të rënduar ndaj çdo gjëje kur me të përballesh.
Pse mendon se ti je viktimë! Pse mendon se ti je i rënduari! Pse mendon se ti je shqetësimi vetë! Të është rënduar gjendja, por dije se askush gjendjen të lehtësuar s’e ka. Gjithkush ka diçka të pambaruar, diçka të pa arritur, diçka pra që e shqetëson! S’je i vetmi, por ndryshon vetëm mënyra sesi përjetohet a përballet ai shqetësim.
Të është rënduar dunjallëku! Të ka lodhur jeta! Të ka kapur rrota e problemeve! Të janë shtuar përgjegjësitë ndaj gruas, ndaj fëmijëve, ndaj familjes! Ke punë që duhet kryer!
Jo pra, dije o shpirt i shqetësuar! Se jeta e rënduar gjithnjë ka qenë! Deri në fyt, njerëzit, kanë qenë të mbushur me brenga. Asnjë njeri që sot merr frymë, nuk mund të thotë se jeta s’i është rënduar, apo që s’ka ndonjë brengë që e bren. Të gjithë kanë ndonjë shqetësim, ndonjë brengë, ndonjë problem. Porse je habitur, e po mendon se je i vetmi njeri në fytyrë të tokës me sfida e përgjegjësish të papërballueshme.
Jo, assesi! Secili njeri në fytyrë të tokës përballet me sfida e përgjegjësish që janë të papërballueshme, por pak prej njerëzve i përballojnë, e kur i përballojnë, megjithë vështirësitë, ia dalin mbanë! E ata janë të vendosurit, të përkushtuarit dhe ata që shpresojnë fortë në fuqitë e tyre. Ne e kemi parimin hyjnor: s’mund të ketë lehtësim, pa parapri vështirësimi. E pra, kush e kuptoi këtë, edhe shqetësimi kur shqetëson, ëmbëlsohet!
O shpirt i shqetësuar! Më thuaj, kush pra nuk ka ndonjë punë për të kryer! E kush pra nuk ka ndonjë përgjegjësi ndaj dikujt, qoftë ndaj familjes apo të tjerëve, ende të pa mbaruar. Pse shqetësimin ia shton vetvetes! Ti s’je i vetmi që të është mbushur kupa e pakënaqësive. Por eja t’i japim fund këtyre komplekseve, që po na i zënë frymën, e të marrim frymë lehtë!
Mos e ngushëllo veten, por ji racional! Mendo e arsyeto! Ne jemi brenda një procesi – brenda një rrethi të gjerë e të madhërishëm. Gjithçka që ndodhë në Univers, ne jemi në varësi të saj, dhe është e shoqëruar me urtësish të panjohura ndoshta për ne, dhe ndodhitë janë fryt i një plani të planifikuar me mjeshtëri!
Ji i mëshirshëm pra ndaj vetvetes, e mos e mundo atë, sepse gjërat ndodhin, i mirëprite apo jo. Ashtu siç shkëlqejnë yjet me shkëlqimin e tyre, e reflektojnë bukuri gjatë natës së qetë, po ashtu edhe shpirti yt do të shkëlqente i qetë nëse i nënshtrohet tërësisht këtij plani, që ne jemi brenda tij (planit).
Je i brengosur, por atë brengë nxirre nga zemra, duke qenë i bindur se është shenjë e ndonjë çrregullimi brenda teje, e assesi jashtë teje. Nëse ti ke menduar keq për dikë, apo ke fyer dikë, apo i ke bërë ndonjërit keq, fale vetveten dhe kërko të falur prej atij që i ke bërë padrejtësi. Kështu çlirohesh prej asaj brenge, që ty po të mundon. Po s’fale dhe s’u fale, brenga sa vjen e rritet, e ti duke mos kuptuar.
Ruaj veten nga biseda e vetvetes dhe nga pëshpëritja, që të shtyn e të nxit të mendosh errët e keq, e kërko mbrojtjen e të Gjithëpushtetshmit, Allahut të Madhërishëm! E pra ti kërko mbështetje tek Allahu Fuqiplotë!
“Bisedën e fshehtë e nxit vetëm djalli për t’i shqetësuar ata që besuan, ndonëse ajo nuk mund t’i dëmtojë ata fare pa dëshirën e All-llahut, andaj vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët!” – Kur’an, 58:10
O zemër e lodhur! Eja bashkë t’i çlodhim zemrat tona. Ne jemi njerëz, s’jemi të përkryer. Pasojë e qenies sonë harrestare, ne gabojmë dhe bëjmë padrejtësish, e kjo na mundon, dhe zemrat tona lodhen. Ne mund të ndjehemi të paforcë e të pashpresë, kur e shohim vetveten të padrejtë, të ngutur, e të paarsyeshme ndonjëherë. Por jemi njerëz, jemi harrestarë, e s’ka njeri të mos bëjë ndonjëherë ndonjë padrejtësi, e pse të humbim pjesën tjetër të jetës së mbetur duke e munduar veten me të kaluarën tonë.
O shpirt i mërzitur! Mos e kujto të kaluarën. Harroje atë. Nuk ke pse të lidhesh me të e ta mbash veten pengë të saj. Ti mund të mendosh se do të ishte më ndryshe e sotshmja jote, sikur të ishte kështu e ashtu, por ato thjeshtë janë mendime që cyten prej të keqit, që ti të mërzitesh e të zhytesh në errësirën e pandjesisë së sotshmes dhe të nesërmes.