Pa emigrantin sirian bota s’do të kishte sot iPhone
Mbarë Europa po përballet sot me krizën humanitare të emigrantëve kryesisht nga Siria. Me mijëra njerëz të dëshpëruar nga lufta dhe mungesa e stabilitetit kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe ia janë drejtuar Europës jo vetëm për të shpëtuar kokën por edhe për një jetë më të mirë. Por nga ana tjeter jemi dëshmitarë të një sjellje aspak dinjitoze nga disa vende apo liderë europianë që nuk duan të merren me hallet e këtyre e njerëzve. Një i tillë është dhe kryeministri hungarez Orban I cili me retorikën e tij ksenofobe dhe islamofobe do të shokonte opinionin publik europian .
Por nuk do të ishte vetëm politikani hungarez që do ti nxinte faqen Europës me sjelljen anti-europiane. Në Greqi njerëz të armatosur dhe të maskuar sulmojnë varkat e emigrantëvë të dëshpëruar për të mos i lejuar që të prekin brigjet europiane. Edhe në Gjermani pavarësisht qëndrimit human të kancelares Merkel për të pranuar 800 mijë emigrantë nga Siria u shfaqën sulmet e neonazistëve ndaj tyre .
Imazhet shokuese të personave që lënë stacionin e Budapestit për të shkuar në këmbë drejt Austrisë tregojnë qartë ngurimin e vendeve të pasura për të ndihmuar këta njerëz në hall dhe të dëshpëruar. Pa dyshim që do të ishte fotoja e 3 vjecarit të mbytur sirian që do të shkunde Europën e civilizuar . Kryeministri Italian Renzi do të shprehej se në fund të fundit ka një minimum niveli njerëzor nën të cilin nuk mund të zbritet. Kryeministri i një vendi që ka provuar ndër vite dramën e emigrantëve thotë se Europa nuk është modeli I Orbanit. Edhe kancelarja Merkel do të shprehej e shokuar me krizën e refugjatëve ndërsa do të premtonte angazhimin e plotë të shtetit më të fuqishëm ekonomik të Europës për të pritur emigrantët sirianë. Britania e Madhe falë edhe presionit të brendshëm të shoqërisë së saj do të levizte nga qëndrimi I ngurtë duke e detyruar kryeministrin Kamerun të deklarojë se vendi I tij do të pranojë 15 mijë emigrantë.
Ditët e fundit media botërore ka nxjerrë dhe një fakt interesant rreth origjinës së Steeve Jobs, gjeniut që ndryshoi padyshim kursin e zhvillimit njerëzor në këto vitet e fundit. Pak kush e di që ai ishte djali i një siriani që emigroi në Shba në vitin 1954. Nëse amerikanët nuk do ta lejonin të emigronte babain e tij , ndoshta bota nuk do ta kishte patur gjeniun Jobs dhe ne sot ndoshta nuk do të kishim mundësi të përdornim iphone apo mrekullitë e tjera teknologjike të djalit të emigrantit sirian. (Jo rastësisht SHBA vendi I emigrantëve nga e gjithë bota, madje edhe nga vetë Europa është shteti më i zhvilluar dhe më I pasur në bote). Sot mes mijëra emigrantëve sirianë që zbarkuan në Europë, kush e di ndoshta ndodhet një Steeve Jobs i ri që nesër do t’i shërbejë jo vetëm Europës por mbarë botës.
Ndoshta edhe për këtë arsye Europa e Bashkuar duhet të jetë më humane dhe më solidare. Nga ana tjetër Europa nuk duhet të harrojë kontributin e vyer të miliona emigrantëve me të cilët ka bashkëjetuar dhe ka përfituar ndër shekuj në të gjitha fushat, në shkencë , në ekonomi në teknologji, arsim, art , kulturë apo dhe sport. Në fund të fundit të gjithë ne që jetojmë në epokën e globalizmit duhet ta kuptojmë se një Europë pa emigrantë, Shba pa emigrantë , bota pa emigrantë nuk mund të ekzistojë.