Religjioni

Dr.Adnan Ahmedi i përgjigjet pytjeve të vizitorëve

Riza Veseli: Zotri Adnan Ahmedi, desha të pyes se për çfarë arsye janë ndërprerë punimet në ndërtimin e shkollës së medrezes në Preshevë, ku afër 5 muaj janë ndërpre punimet në këtë shkollë të fesë, ku ka pas që në këtë vit kalendarik, në muajin shtator të startoj kjo shkollë nderkaq punimet janë shtyer, cilat janë shkaqet?

dr Adnan efendi Ahmedi: Punimet në ndërtimin e Medresesë në Preshevë janë ndërprerë përkohësisht për shkak të plotësimit të disa dokumentave shtesë të nevojshme për vazhdimin e punimeve të kërkuara nga organet kompetente komunale Ato tashmë janë përfunduar dhe punimet janë në punë të mbarë , pra ato veçse kanë nisur para disa ditësh gjë falënderojmë Allahun xh.sh.

Studenti: Ju pershendes me përshendetjen e banorëve të xhenetit Eselamu Alejkum…
Ju falemenderoj juve Presheva.com për gjithë këto mundësi që po na jepni që edhe ne ti parashtrojmë pyetjet tona drejtuesve tonë si ata komunal po ashtu edhe ata fetar…
Pytja: Z. Adnan Ahmedi, do të ketë një zgjidhje për bashkësite islame sepse e dim mirë se në Luginë funksionojnë 3 Bashkësi Islame. A do të bëheni një ditë bashkë dhe kur do të jetë ajo ditë….
Eselamu Alejkum

dr Adnan efendi Ahmedi: Thënë sinqerisht, mua gjithnjë thellë më kanë brengosur përçarjet që kanë ekzistuar tek prijësit fetarë në trevën tonë. Sdo mend se një gjendje e këtillë e brengos çdo besimtarë dhe njeri me dinjitet të mirëfilltë fetar e njerëzor. Por, dua t`Ju përkujtoj se këto gjëra kishin ndodhur kur unë nuk isha pjesë aktive e organizimit fetar në Bashkësinë Islame. Megjithatë, asokohe këto fërkime të panevojshme më lëndonin thellësisht në shpirt. Nga koha kur jam emëruar në postin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovë në Preshevë, pa ndërprerë angazhohem në tejkalimin e këtyre dallimeve tona. Jam ithtar i paepur i eliminimit të klaneve e grupacioneve. Besoj e shpresoj bindshëm se me ndihmën e Allahut xh.sh. dhe qëllimet tona të sinqerta ne më në fund do t’ia dalim që t`i thyejmë barrierat që kot së koti i kemi ndërjmet nesh, sepse besmitarët e Luginës së Preshevës janë të shkëlqyeshëm dhe nuk meritojnë assesi që krerët e tyre fetarë të jenë të përçarë ndërmjet veti. Jam i bindur se jo nuk do të jetë e largët dita kur të gjithë ne këtu do të kemi vetëm se një Bashkësi Islame. Përndryshe, në të kundërtën do të kemi përgjegjësi të madhe para Allahut Fuqiplotë.

Barezi-Valoni: Pershendetje te perzmërta, për ju doktor kam nje pytje shume të shkurtë, pra me spejego hollsisht mbajta e mjekrrës çka është synet apo dhe simboliken e saj, sepse shume fjalë dëgjoj për këtë, dikush thotë ashtu e kështu kurse unë ende skam përgjegje dhe nuk kam ndërmend të devijoj me thënë më drejt mos të bie në ndikim të dikujt! Përshendtje nga barezi-valon nga Presheva.

dr Adnan efendi Ahmedi: Faleminderit, gjithashtu përshëndetje të përzemërta edhe për juve Valon. Mbajtja e mjekrrës sipas dispozitave të Fikhut (jurisprudencës Islame) është synnet (rekomandim nga ana e Pejgamberit a.s.), në këtë rast kjo vepër hyn në radhën e synneteve të forta. Ndërsa sa i përket zgatjes së tepruar të mjekrrës nuk është e përshtatshme me synnetin (rekomandimin e Pejgamerit a.s.).

Duhet ta kemi parasysh edhe se synnetet e Pejgamberit a.s. janë të shumta. Muslimanët nuk duhet të jenë të fokusuar në aplikimin e një synneti por duhet të mundohen të zbatojnë të gjitha synnetet e porositura nga Pejgamberi a.s. Teprimi i secilës gjë të rekomanduar nga Kur’ani dhe Synneti i Pejgamberit a.s. i shpie në humbje muslimanët, ndërsa para humbjes shkaktohet tollovia dhe ç’rregullimi në mesin e tyre.

Nehat Hyseni: I nderuari z. Adnan, kam dy pyetje. E para ka të bëjë me temxhitë dhe lajmërimin për të vdekurin, ashtu si e bejnë shumë xhamia, duke lajmëruar personin e vdekur, kohën e varrimit etj. Kjo është një domosdoshmëri e kohës dhe të gjithë qytetarët e ndajnë këtë mendim. E dyta ka të bëjë me hydben që ende nuk praktikohet te ne të mbahet në gjuhën shqipe. Ju falemnderit

dr Adnan efendi Ahmedi: Gjithashtu edhe ne ju faleminderojmë. Temxhiti në xhaminë tonë ka qenë praktikë e kahmotshme, por lajmërimi për personin e vdekur dhe se kur do të bëhet falja e namazit të xhenazes së tij nuk praktikohet meqë këtu është qytet. Qyteti gjithmone duhet të ruajë qetësinë, rendin dhe heshtjen që i ka hije. Aq më shumë kur dihet se ne jetojmë në një vend me kombësi të ndryshme. Sa i përket praktikimit të kësaj tradite  nëpër fshatra nuk ka ndonjë efekt sepse atje është një rreth më i vogël dhe nuk ka ndikim të madh në jetën e përzier publike. Ndoshta është domosdoshmëri e kohës por edhe kësaj do t’i vijë radha inshaallah.
Sa i përket leximit të Hytbes në gjuhën shqipe edhe kjo besojmë se do të fillojë të praktikohet në një te ardhme të afërt. Deri më tani nuk e kemi mbajtur meqë ky boshllëk është përmbushur në ligjëratën e xhumasë.

Vëllau musliman: Selamu aleikum
Jam një vëlla nga Diaspora dhe kam 2 pyetje për hoxhën e nderuar
Si esht forma e te falurit te namazit të vitrit duke u bazuar me kur`an ose me sunet te Pejgamberit a.s.?

2 rekate, pastaj 1 rekat vetum, apo siç i falim ne shqiptaret 3 rekate sebashku dhe ne fund me tekbir dhe duajen e kunutit?
Cilen form duhet me praktiku?

dr Adnan efendi Ahmedi: Forma e të falurit të namazit të Vitrit është 3 rekate së bashku të lidhura njëra me tjetrën dhe në fund ngritja e duarve duke marrë tekbir (sikur tekbiri fillestar) dhe leximi i duasë së kunutit.
Edhe pse Pejgamberi a.s. i ka praktikuar të dy mënyrat, më e përshtashme është mënyra e faljes së saj pesëshekullore, dmth 3 rekate të ngjituar dhe leximi i duasë së kunutit. Kur diçka bëhet traditë tek një popull, e ajo traditë është e mirë dhe e përputhur me dipozitat e Sheriatit Islam, në këtë rast sikur që ka të bëjë falja e namazit të vitrit, atëherë tradita paraprien, sepse në të kundërtën shkakton tollovi dhe huti në mesin e xhematit. Kjo dëshiron kohë deri në aftësimin dhe mësimin e xhematit, andaj le të jetë koha ajo që dëshmon se angazhimin e xhematit në mësimin e dipozitave fetare Islame në këtë rast dispozitat e Fikhut (në lidhje me faljen e namazit dhe rregullat themelore të tij).

A lejohet / pranohet duke e fal rekatin e fundit te vitrit dhe pasi te ngritemi prej rukujes me bo dua ne gjuhen shqip?

dr Adnan efendi Ahmedi:Preferohet të lexohet duaja e kunutit në gjuhën arabe, nëse nuk e din e lexon: “Allahumme Rrabbena atina fiddunja haseneten ve fil Ahireti haseneten ve kina adhabennar”. Nëse nuk e dijmë as këtë atëherë e lexon tri herë: “Rrabbigfirli”. Sipas medh-hebit tonë hanefijj duaja e kunutit është e preferuar të lexohet në gjuhën arabe.

2. Pse ne Muslimanet jemi te ndar (grupacione) me mes`hebet, duke thon un jam hanefi, ky maliki, ky shafi e kështu me radh. Pse ketua keshtu ? Pejgamberi a.s. nuk ka thon pas meje vin dijetar dhe permendeni ata dhe dalloheni, por e dim se ka thon, une po ja lo 2 amanete kush i praktikon nuk esht kurr ne humbje (kur`anin dhe sunetin). Si e dallon njeriu një hanefi prej shafis, apo qfar dallimi ka një musliman ne mekke prej ne muslimanit ne prishtin ? athua vall ky ne prishtin vetum se i bon tespit dhe aminin me xhemat kona hanefi dhe ky ne mekke shafi ? pse nejrzit dallohen keshtu? kur pyeten muslimanet mesveti, thojn une jam hanefi. A nuk duhet te themi jemi elhamdulilah musliman dhe me kaq mjafton. A duhet kaq shum rendesi me i dhon mes`hebeve ?

Ju lutem për sqarim, ALLAHU ju shpërbleft

dr Adnan efendi Ahmedi: Po elhamdulillah të gjithë jemi musliman, por ndarja apo prakitikimi i medhhebeve është domosdoshmëri. Së pari duhet sqaruar këtë se muslimanët nuk i ndanë mdh-hebet për t’i përçarë ata mes vete por për t’ua lehtësuar atyre praktikimin e dispozitave fetare. Hoxhallarët e mëparshëm e panë se për rajonin e Ballkanit apo Evropës në përgjithësi më i përshtatshëm dhe më i lehtë është praktikimi i medh-hebit hanefijj, andaj edhe e preferuan këtë medh-heb. Ky medh-heb në këto troje sidomos në trojet turke dhe iliro- shqiptare mbizotëroi në periudhë pesë shekullore, qysh prej ardhjes së Osmanlinjëve në këto troje. Andaj edhe aplikimi i këtij medh-hebi është më i përshtashëm. Sa i përket lënies së praktikimit të medh-hebit  është një shkatërrim i tërë popullit, gjë që në 1 miliardëshin musliman në një kohë shumë të shkurtër do të shkaktojë krijimin e secilit prej tyre medhheb të vetin personal. Kjo e fundit do të shkaktonte edhe më shumë huti dhe tollovi madje edhe grindje në mesin e muslimanëve. Edhe një gjë duhet ta kemi parasysh se dijetarët që ishin themelues të dispozitave si Imam Ebu Hanife, Imam Shafiu, Imam Maliku dhe Imam Ahmed Ibën Hambeli ishin besimtarë shumë shumë të devotshëm. Imam Ebu Hanifen dhe Imam Ahmed ibën Hanbelin i vranë duke i torturuar vetëm pse nuk pranuan të shkelin dispozitat e Sheriatit (Ligjit Islam) të përcaktuara nga e Allahut xh.sh. Andaj ata nuk u bazuan përveç se në dy burimet themelore të Sheriatit, pra në Kur’an (Librin e Allahut xh.sh.) dhe në synnet (fjalën, veprën dhe punën e Pejgamberit a.s.). Ne nuk iu japim rëndësi medh-hebeve ngase na kanë detyruar Imamët por nga shkaku sepse nevoja e kërkon praktikimin e një medh-hebi në mesin e një krahine apo rrethi apo edhe më gjërë. Rasti i njejtë është edhe me praktikimin e medh-hebit hanefijj në trojet tona iliro- shqiptare, përkundrazi nëse fusim medh-hebe të reja do të shkaktohej tollovi meqë do të fusim diçka të re në një mall apo në një pasuri të ruajtur me kujdes për 500 vite me radhë. Muhammedi a. s na porosite per permbajtje te sunetit te tij dhe pasuesve te tij duke thene: permbajuni sunnetit tim dhe sunnetit te hulefai rashidineve qe do te me pasojnë

ss: Selam ajejkum hoxhë i nderuar.
Nëse një njeri bën vepra të mirë dmth nuk i bon askujt keq por nuk i përmbahet 5 rregullave te Islamit atëhere ka shperblim për këta njerez? Ju pershendes nga zemra…

dr Adnan efendi Ahmedi: Gjithashtu përshëndetje nga zemra. Nëse një njeri bën vepra të mira e nuk i bën keq askujt kuptohet se e ka shpërblimin tek Allahu, sepse Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë: “Ai që bën mire sa grimca e atomit do të shpërblehet për të me të mirë”. Por nëse nuk i përmbahet ose nuk i praktikon pesë kushtet themelore të Islamit ka mbetur borxh ndaj Allahut të Madhëruar, dmth nuk ka praktikuar obligimet e detyrueshme (farz). Dijetarët shembullin e këtyre personave e kanë gjasuar me urdhërin e shefit ndaj punëtorëve të tij, shembull ai ka urdhëruar të ndërtohet një shtëpi ndërsa këta vazdojnë dhe e mbjellin me lule sipërfaqen e atij vendi. A do të ishte i kënaqur ky shef kur do të shohë këtë terren të shtruar me lule e jo të ndërtuar me ndërtesën të cilën i kishte urdhëruar ata. Se a do t’iu jepë shpërblim apo nuk do t’iu jepë shpërbim mbetet të përcaktojnë vetë ata që e mbollën sipërfaqen me lule kur gjatë gjithë kohës e dinin se ishin të detyruar të ndërtonin ndërtesë e megjithatë ata mbollën lule. Mbjellja e luleve nuk është gjë e keqe por bie ndesh me urdhërin e shefit të tyre. Andaj edhe personat në fjalë e kanë statusin e njejtë.

ConterAtack: Selam Alejkum Hoxhë i nderuar, e kam një pyetje, kur të bëhesh niqah si shkon kjo procedurë, edhe çka eshte e nevojshme për kete, nese keni mundsi një përgjigje, Allahu qoftë i kenaqur me ju S.A.

dr Adnan efendi Ahmedi: Alejkum Selam, gjithashtu edhe me juve Allahu qoftë i kënaqur. Procedura e Nikahut (kurorëzimit) është me ballafaqimin e perfaqesuesve  të dy  të bashkëshortëve, babait të vajzës dhe babait të djalit në mungesë të tyre edhe të kujdestarëve  të tyre si dhe dy dëshmitarëve  në praninë e Imamit, i cili dakordon palët dhe përcakton (mehrin- shumë e të hollave që i jepet me rastin e marteses. Pas përcaktimit dhe pëlqimit të të dyja palëve vehet kurore mes tyre dhe lexohet lutja që përmban urimin dhe përgëzimin në mes çiftit të ri.

erol: Selamun alejkum; i nderuari Imam, doja të iu pyesja në lidhje me restaurimin e xhamisë në qender (siç e dijme është panoramë e qytetit, ka vlera të jashtëzakonshme, është monument në ruajte). A ka ndonje projekt për restaurimin e kësaj xhamie (gjithmonë profesional)?

dr Adnan efendi Ahmedi: Xhamia  e “Ibrahim Pashës” në Preshevë është një kryevepër e arqitekturës islame në trojet tona. Ajo daton qysh nga viti 1697. Sot ajo është nën mbrojtjen e Entit për mbrojtjen e monumenteve kulturore. Asaj nuk lejohet t`i ndryshohet pamja historike që ka. Me iniciativën e xhematit të kësaj xhamie, sivjet nisi restaurimi i saj. Deri tani janë kryer punime shumë të rëndësishme në pjesën e brendshme të xhamisë , si > ndërrimi i dyerve , dritareve , shtrimi i dyshemese me material mjaft të përsosur , ndërrimi i tavanin , vendosja e lusterave mjaftë të bukur , rregullimi i hytbes , kursisë , gilindarave lart e poshtë etj. Tani janë duke vazhduar punimet në pjesën e jashtme të xhamisë. Është duke u kryer fasadimi i jashtëm i mureve dhe rregullimi i shadërvanit të xhamisë. Së shpejti do të nisin punimet në lyerjen e minares së kësaj faltoreje islame si dhe rregullimi i oborrit dhe i mureve të tij. Pra , siç po shihet janë kryer punë shumë të rëndësishme. E gjithë kjo është bërë falë kontributt të xhematit të kësaj xhamie. Do të ishte e mirëseardhur ndihma e çdo besimtari nga Komuna e Preshevës.

Besim Shabani: Përshëndes Hafiz dr Adnan efendi Ahmedin, kam nderin që të jem xhemat i këtij imami tv nderuar, e kam nje pyetje profesionale: Çka ka qene ajo që ka vendosë në këtë renditje të sureve që e ka Kurani i madhrishëm?

dr Adnan efendi Ahmedi: Faleminderit gjithashtu edhe ne kemi nderin që në mesin tonë kemi një xhemat të këtillë. Renditja e Kur’anit në këtë mënyrë është bërë derisa ishte gjallë Pejgamberit a.s. dmth kjo radhitje qe bërë nga ana e Allahut xh.sh nepermjet melekut madheshtore Xhebrailit a.s.

Preshevarja: s.a. dr.Adnan Ahmedi, e kam një pytje per ju: Nëse i mer dikujt borxh dhe e mer borxhin për me kthy pa afat caktum, dhe mrenda pak mujve personi që ti ka dhon të hollat vdes. Kujt duhet ti kthehet borxhi? Allahu ju shpërbleft për përgjigjen!

dr Adnan efendi Ahmedi: Amin, poashtu edhe Allahu edhe juve ju shpërbleftë. Borxhliu borxhin e marrur në afat të pacaktuar duhet t’ia ktheje familjarëve të tij, nëse nuk ka familjarë atëherë duhet t’i japë sadaka në emër të tij.

Genci: Si do të ishte organizuar Bashkësia Islame edhe më mirë? A duhet të bëhen reforma në Bashkësi Islame?

dr Adnan efendi Ahmedi: Mendoj se Bashkësia Islame është mjaftë funksionale. Ajo ka një traditë  të funksionimit të saj shumë shekullorë. Por, megjtihatë, ne si besimtarë asnjëherë nuk guxojmë të vetë kënaqemi. Duhet të mësojmë nga lëshimet tona eventuale. Kush punon dhe gabon. Duhet bërë analizë të thellë të veprimeve tona. Aty ku kemi qenë të sukseshëm, ta shtojmë angazhimin, ndërsa aty ku eventualisht kemi ngecur, të japim edhe forcën e fundit të atomit të mundësive tona pë të ecur përpara.
Kam përshtypjen e thellë se duhet shumë të punojmë me gjeneratat e reja. Ato janë ardhmëria jonë. Nuk guxojmë që të lejojmë që ata të bëhen “mish për top”. Assesi jo. Duhet shporruar nga disa prej tyre veset jo të hijshme si  alkooli, pijet narkotike, prostitucioni, bixhozi e tjera. Ky është degjenerim. Duhet të jemi të vetëdishëm pë përgjegjësitë që kemi.
Shpresjmë se me ndërtimin e objektit të Medresesë shumë rinj e të reja do të edukohen ashtu siç i ka hije një muslimani. Pasqyra jonë është personaliteti i të Dërguarit të Allahut xh.sh., Muhammedi a.s. Allahu i Lartëmadhërishëm në Kur’anin Famëlartë potencon “(O besimtarë), Ju në të Dërguarin e Allahut keni një shembulltyrë të shkëlqyeshme”

Ju faleminderit.

Related Articles

Back to top button