2527 fëmijë nga Shqipëria lypin në Kosovë

Rreth 2527 fëmijë shqiptarë të moshës 0 deri në 18 vjeç shfrytëzohen për lypje apo punë të tjera të rënda. Të dhënat janë nxjerrë nga një studim i UNICEF-it dhe Save dhe Children publikuar sot në Tiranë, për fëmijët në situatë rruge.
Sipas studimit në fjalë mbi një e treta (1/3) e fëmijëve në situatë rruge janë në rrezik trafikimi dhe vetëm kohëve të fundit Mekanizmit Kombëtar të Referimit mbi Anti-Trafikimin i janë referuar mbi 31 raste të trafikimit të fëmijëve; përfshirë shfrytëzimin seksual dhe lypjen në Shqipëri dhe në Kosovë.
Lidhur më këtë çështje zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, u shpreh se ka nisur bashkëpunimi me vendet e rajonit për të reduktuar këtë fenomen.
“Ashtu sikurse u përmend edhe në studim 31 raste të fëmijëve të moshave të ndryshme janë referuar në Mekanizmin Kombëtar të Referimit mbi anti-trafikimin duke përfshirë këtu shfrytëzimin seksual dhe lypjen në Shqipëri dhe në Kosovë. Zyra e Kordinatorit Kombëtar është duke rishfrytëzuar të gjithë partneritetet me vendet e rajonit, Mal i Zi ,Kosovë, Maqedoni dhe më gjërë, pikërisht për të adresuar këtë fenomen i cili mund të jetë dhe një fenomen trans-nacional,” tha Gjebrea.
Shoqatat që janë marrë me studimin në fjalë tregojnë se ka edhe shumë familje dhe fëmijë shqiptarë që kanë shkuar në Kosovë për të lypur. Sipas Zini Kores, përfaqësues i shoqatës ARSIS që ka kontribuar në këtë studim, fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve është i njëjtë në të gjitha vendet e rajonit dhe se përmasat janë më të mëdha se sa shifrat zyrtare.
“Vetëm vitin e kaluar ne kemi të dokumentuar 104 familje që kanë emigruar sezonalisht në Kosovë për të shfrytëzuar veten dhe fëmijët nëpër rrugët e Kosovës. Po ashtu, edhe një studim tjetër i Save the Children ka nxjerrë në pah se 92 fëmijë që lypin në rrugët e Prishtinës janë me origjinë nga Shqipëria. Por fenomeni është më i gjerë se 104 familje; në qoftë se pyesni në rrugët e Prizrenit, Pejës, Gjakovës; Prishtinës; qoftë edhe Mitrovicës nga të dyja anët, ju do të shikoni se fëmijët janë me origjinë nga Shqipëria. Unë mendoj se në Shqipëri, Kosovë, Mal të ZI, Maqedoni situata e fëmijëve të rrugës është njësoj.”, ka thënë Kore.
S humica e fëmijëve në situatë rruge shfrytëzohen nga tutorët e tyre për lypje; shitje të cigareve dhe produkte të tjera, riciklim i materialeve plastike apo në punë të rënda si ngarkim-shkarkim mallrash, pastrim rrugësh, varrezash, punë në hyrje të minierave e shumë aktivitete të tjera. Për më tepër studimi në fjalë ka nxjerr në pah një fenomen tjetër alarmant për shfrytëzimin e fëmijëve në punë, pasi janë 312 fëmijë të cilët përfshihen në kultivimin e marijuanës në Lazarat të Gjirokastrës.
Ministri i Mirëqenies Sociale ,ErjonVeliaj tha se qeveria po merr masa për ta zbutur këtë fenomen, dhe se aktualisht po vepron një task-force për evidentimin e rasteve në terren.
“Për herë të parë pranë Shërbimit Social Shtetëror, është ngritur një task-forcë e kordinuar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, dhe Zyra Kombëtare Antitrafik. Kjo task-froce ka nisur investigimet në rrugë, qysh javën e kaluar, në 3 njësi bashkiake të Tiranës, dhe do të vazhdojë javë pas jave të punojë për evidentimin si fillim të rasteve emergjente dhe ndërhyrjen për këto raste”, ka thënë ai.
Studimi për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge; është kryer gjatë periudhës maj 2013-shkurt 2014 në kuadër të Reformës së Shërbimeve Sociale nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Arsis dhe GFK, mbështetur nga UNICEF dhe Save the Children. Studimi del në përfundimin se mbi 1/3 e fëmijëve të rrugës krahas shfrytëzimit për punë janë edhe në rrezik trafikimi.