Magazina

Haxhi Hiseni, babai i Komandant Lleshit: “Në të ardhmen të jemi më të bashkuar për hir të Kombit!”

Fotoreportazh nga Akademia Përkujtimore në Tübach të Zvicrës

Këshilli Organizativ i Akademisë Përkujtimore kushtuar 28 dëshmorëve të UÇPMB-së mbeti i kënaqur me organizimin, duke konstatuar në këtë rast, se si asnjëherë më parë, morën pjesë shoqata të ndryshme humanitare nga Kosova Lindore, të cilat veprojnë në Zvicër. Më 18 maj, të dielën e kaluar, duke filluar në orën 14:00, në Tübach të St. Gallenit, u mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar dëshmorëve të UÇPMB-së, në të cilën morën pjesë familjarë të dëshmorëve, invalidë të luftës, veteranë, veprimtarë nga atdheu e Diaspora, e në mesin e tyre edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, dr. Nagip Arifi; Agim Haliti, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Tërnoc, si dhe babai i dëshmorit të komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimi -Komandant Lleshi, Haxhi Hiseni. Ishte nder dhe kënaqësi që në këtë akademi prezantoi edhe bashkëshortja e dëshmorit të kombit Agim Ramadani, zonja Shukrije Ramadani, e cila ishte e ftuar edhe në cilësinë e familjares së dëshmorit, por edhe si drejtuese e Qendrës Kulturore të Diasporës për Zvicër. Këshilli Organizativ i Akademisë Përkujtimore mbeti i kënaqur, duke konstatuar në këtë rast se, si asnjëherë më parë, morën pjesë shoqata të ndryshme humanitare nga Kosova Lindore, të cilat veprojnë në Zvicër, e si gjithmonë edhe Shoqata Humanitare «Medvegja» dhe kryesues të saj, që e kishin edhe gjithë barrën për ta organizuar këtë akademi. E veçanta e kësaj akademie ishte se nga Këshilli Organizativ ishte caktuar si prijës një bashkëkombës nga Gostivari i Maqedonisë, prof. Nasir Rrustemi. Të pranishëm të tjerë ishin: ish-komandanti i UÇPMB-së, Shefket Hasani; konsulli i Kosovës, Islam Spahiu; Abaz Fejzullahu, kryetar i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër; babai i Komandant Lleshit, Haxhi Hiseni; veprimtari nga Struga, Halit Naxhaku; veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, Riza Demaj, njëherësh koordinator i LAPSH-it për Kantonin Argau; Zenel Neziri, president i Shoqatës Humanitare «Medvegja» me bashkëpunëtorë nga Valaisi i Zvicrës; Fondi Humanitar i Kosovës Lindore, Shoqata ‘Lmt’, Shoqata «Agimi», Shoqata «Atdheu», dr. Llukman Halili nga «dialogplus.ch», nëndega e LDK-së për St.Gallen, z. Sallah Junuzi, RTV Presheva, Tv Syri Blue, producent i TV Diaspora, z.Esat Husaj, bashkësitë fetare: xhamia Repshtajn, Buks,Flums, Rorscha, Romanson, Elida dhe Xheneti në St.Gallen, veprimtarët Isuf Sherifi, Ramadan Avdili, Sallah Junuzi, Shefqet Dibrani, Gjok Gjokaj, etj. Për këtë akademi ishte përgatitur edhe një program i pasur me këngë e recitime kushtuar dëshmorëvë fund u ndanë edhe disa mirënjohje, ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit, z.Arifi, i ndau mirënjohje edhe Këshillit Organizativ, të cilën e pranoi Fazli Musliu.
Si shkoi kjo akademi?
Skena, si edhe herët tjera, ishte e përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në mes të skenës shiheshin dëshmorët në një foto speciale, flamuri ynë kombëtar, ai i Kosovës dhe i shtetit mik të kombit tonë, Zvicrës. Organizatorët, sikur edhe çdo herë tjetër, ishin të stërngarkuar duke i pritur mysafirët që vinin nga të katër anët e Zvicrës. Kishte familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të luftës. Programi filloi me këndimin e himnit tonë kombëtar, kur në skenë dolën fëmijë mërgimtarë nga SH.K.A «Atdheu»-Badrgaz, të cilët përcollën emocione te të pranishmit. Këtë akademi e moderoi Ardita Saqipi, moderatore e TVP, që kishte ardhur enkas nga Presheva.
Zonja Saqipi fillimisht e falënderoi Këshillin Organizativ që ia kishte besuar këtë punë, duke e ndier veten të privilegjuar.Akademinë e hapi prof. Nasir Rrustemi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetari i Shoqatës Humanitare «Lugina e Preshevës», z.Fazli Musliu, kryetari i Shoqatës Humanitare «Medvegja», z.Zenel Neziri, dhe Shaip Bajrami, arkëtar i SHHLP. Prof. Rrustemi, që ishte përzgjedhur nga Këshilli Organizativ prijës për sivjet i kësaj akademie, ndër të tjera, tha para të pranishmëve:
«Përshëndetje shumë të nderuara familje të dëshmorëve, ish-luftëtarë, të respektuar të pranishëm! Ju falënderojmë për praninë tuaj! Falënderojmë edhe mediet tona, që janë të pranishme, në veçanti TV Diaspora dhe revistën «dialogplus». Jam shumë i nderuar që kësaj here na u dha mundësia, ne shqiptarëve të Iliridës, të jemi përgjegjës kryesor të kësaj akademie. E falënderoj Këshillin Organizativ të akademisë, që i ka shkuar mendja në këtë drejtim. Vërtet jam shumë i nderuar, jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. E pastaj, vitin tjetër sigurisht do ta ketë përgjegjësinë dikush tjetër. Kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë shumë ngushtë me Shoqatën «Lugina e Preshevës» dhe me Shoqatën Humanitare «Medvegja» me qendrën e saj në Fully. Pra, me dy kryetarët, Fazli Musliu dhe Zenel Neziri, e tëndihmuar edhe nga të tjerë, arritëm që sivjet ta organizojmë këtë akademi, e cila po mbahet për çdo vit dhe është e vetmja në gjithë Diasporën shqiptare. Para se ta shpall të hapur këtë akademi përkujtimore, përkulem me zemër e shpirt para dëshmorëve të UÇPMB-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit që kanë rënë në kohë të ndryshme. Ata po i shoh në flamurin tonë kuqezi, aty ku është shqiponja jonë dykrenore. Aty është Skënderbeu, aty është Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Adem Jashari, Tahir Sinani, Sali Çeku, vëllezërit Haradinaj, e shumë e shumë të tjerë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për dëshmorët! Këta djem, këta dëshmorë, e dhanë jetën për liri. Ata nuk shkuan në Beograd të luftojnë, por e ruajtën pragun e nderin shqiptar, ranë për të mos vdekur kurrë. Edhe ata, pra dëshmorët, por edhe gjithë veprimtarët, sigurisht se e duan bashkimin, duan që të jemi bashkë dhe të ecim te para, por se sa jemi bashkë, nuk po  ndalemi këtu, por dëshmorët e dhanë jetën që ne të jemi bashkë dhe për ta vazhduar punën tonë drejt finales, bashkimit. 
Ne si mërgimtarë dhe si pjesë e atdheut lutemi që edhe faktori politik në trevat tona në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë të jetë më unik, të punojë më shumë, sepse herë do kur do të na dënojë historia, nëse nuk shkojmë ashtu si duhet. Më lejoni, të nderuar zonja dhe zotërinj, që nga ky vend ta falënderoj edhe Murat Avdiun, i cili me vite të tëra ka kontribuar për këtë akademi, pastaj Fazli Musliun, Zenel Nezirin, Shaip Bajramin, Ferat Rashitin, Bejtullah Belulin, Dashnim Hebibin dhe të gjithë ata që janë munduar dhe po mundohen që kjo traditë të vazhdojë të organizohet edhe në të ardhmen. E ju them shumë sinqerisht se nuk janë shumë njerëz. Do të duhej që të bashkohemi edhe më shumë, që kjo akademi të jetë edhe më e fortë, sepse dëshmorët e meritojnë këtë. Prandaj, e shpall të hapur akademinë».
Fjalë përshëndetëse nga Fazli Musliu dhe Zenel Neziri Z. Neziri, ndër të tjera, theksoi: «Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, ish-luftëtarë, shumë të respektuar të pranishëm! Kam nderin, që në emër të Kryesisë së Shoqatës Humanitare «Medvegja», në emër të anëtarëve të saj, që veprojmë jo më pak se 30 vjet në Diasporë për të mirën e atdheut, të ju përshëndes. Është nder dhe kënaqësi që të bashkëpunosh me Shoqatën Humanitare «Lugina e Preshevës» në Gosau të Sangallës, e me disa intelektualë të tjerë për ta organizuar këtë akademi, e vetmja që mbahet në Diasporë për 28 dëshmorët e UÇPMB-së. Kisha nderin që vjet të isha prijës i saj. Vërtet kemi menduar që kjo akademi për çdo vit t’u takojë të
gjithë atyre që duan të jenë bashkë dhe t’i kujtojmë dëshmorët. Ne jemi bashkë dhe do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen së bashku me Shoqatën «Lugina e Preshevës»
dhe me të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me ne. Lutem që edhe në të ardhmen të përkujtohen dëshmorët. Jua përcjell edhe përshëndetjet e Shoqërisë Kulturo-Artistike «Medvegja», në kuadër të shoqatës sonë, e që para disa viteve ishin edhe pjesë e programit artistik kushtuar këtyre dëshmorëve. Dëshmorët do të mbeten gjithmonë të përkujtuar. Ata nuk do të harrohen asnjëherë. Para disa ditëve, sigurisht se jeni informuar, pas 32 vjetëve, kemi ngritur flamurin në Tupallë të Medvegjës. E ngritëm,
sepse ishim bashkë, si ata në Medvegjë, në Kosovë, por edhe ne në Diasporë. Prandaj, vetëm bashkë do të jemi më të fortë. Pa dyshim se edhe dëshmorët e kanë dashur bashkimin, sepse ata luftuan duke u betuar para flamurit tonë kombëtar kuqezi. Vetëm me bashkim do të jetë më ndryshe edhe në Luginën e Preshevës. Si asnjëherë më parë kërkojmë bashkëpunim edhe nga vëllezërit nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. 
Presheva, Bujanoci është më ndryshe, ndërsa Medvegja vërtet nuk është në gjendjen çfarë e duam të gjithë. Prandaj, për hir të së mirës, të jemi të unifikuar për t’i çuar proceset te para. Perëndia ju bekoftë të gjithëve për kontributin që e keni dhënë për të qenë të pranishëm në këtë akademi. Ne, edhe në të ardhmen, siç juthashë, do të jemi bashkë dhe kjo akademi do të të organizohet. Lavdi dëshmorëve! Perëndia i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë! Perëndia i bekoftë miqtë tanë ndërkombëtarë! Ju faleminderit!».
Ndërsa z.Fazli Musliu, i përshëndeti të pranishmit me këto fjalë: Përshëndetje të nderuara familje të dëshmorëve, veteranë të luftës, të respektuar të pranishëm! Me dorë në zemër ju falënderoj për praninë tuaj. E di se secili ka harxhuar kohë dhe ka bërë mund që të jetë i pranishëm në këtë akademi përkujtimore, që po organizohet në Zvicër, e vetmja në Diasporë. Pa dyshim se Perëndia do ta shpërblejë secilin. Nuk po ju drejtohem secilit me emër e mbiemër, se po frikohem poe harroj dikë, prandaj shumë faleminderit në emrin tim dhe në emër të gjithë
familjes sime të dëshmorit Mitat Musliu. Edhe unë, si të gjithë familjarët e tjerë të dëshmorëve, e kemi paksa më ndryshe. Normalisht jemi më të emocionuar, prandaj më falni për emocionet. Jemi krenarë që e patëm një nip, i cili e kapi pushkën kundër regjimit të asaj kohe. Ai e deshi lirinë, bashkë me shokët e tij. Të nderuar vëllezër e motra, kësaj here, nga komuna e Bujanocit na ka ardhur edhe dr. Nagip Arifi, një personalitet i nderuar dhe kryetar i Komunës. E falënderojmë në mënyrë të veçantë, ndërkaq është i shoqëruar nga babai i dëshmorit të kombit – Komandant Lleshi, që kur e pamë na u mbushën sytë me lot nga gëzimi, duke pasur parasysh edhe moshën e tij. Para disa viteve, siç e dini, ishte edhe babai i Mitatit, vëllai im. Edhe ai ishte i lodhur, por kur doli në skenë për të përshëndetur, pati thënë: Edhenë vdeksha nuk më dhimbet jeta, sepse po e shoh se edhe të rinjtë mërgim po i nderojnë dëshmorët, e do vijë dita që do ta bëjmë atë vend siç do të duhej të ishte pjesë e trojeve të tjera etnike shqiptare. Prandaj, ju prindër të dëshmorëve e familjarë, ju falënderojmë për pjesëmarrje. Edhe unë si familjar i dëshmorit nuk e kam të lehtë të jem pjesë e Këshillit Organizativ, por janë shokët, veprimtarët tanë, që po e kërkojnë këtë dhe do të përpiqem deri në vdekje që të mos harrohen dëshmorët. E falënderoj nga zemra edhe veprimtarin Zenel Neziri, i cili është krahu ynë i djathtë. Ai bashkë me shokë gjithmonë ishte afër nesh dhe do të jetë edhe në të ardhmen.E falënderoj edhe Kryesinë e Shoqatës «Lugina e Preshevës», anëtarët e saj, përfaqësuesit e të gjitha xhamive shqiptare në Zvicër, që na kanë ndihmuar; Esat
Husajn, sponsorin tonë dhe të gjithë ata që e kanë kursyer të paktën një minutë për t’u organizuar kjo akademi. Ata që e harrojnë gjakun e dëshmorëve të dhënë për atdhe, ata janë gjysmakë, si nga truri, ashtu edhe nga shpirti. Prandaj, do t’i përkujtojmë gjithmonë. Ka njerëz të mirë që i respektojnë dëshmorët dhe nuk i harrojnë përjetë dhe nuk shikojnë se kush e ka organizuar, si bie fjala një tubim, apo akademi përkujtimore. Me rëndësi që po përkujtohen dëshmorët shumë larg vendit, që edhe fëmijët tanë, të cilët po rriten në kurbet, ta dinë se atdheu ynë është fituar me gjak dhe duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Faleminderit të gjithëve! Ju po i nderoni të gjithë dëshmorët, ata që e dhanë jetën në lulen e lirisë dhe të tjerët që lanë fëmijë jetimë. Vërtet kemi edhe ngarkesë për t’u organizuar kjo akademi, duke e ditur se jemi duke jetuar larg atdheut, e me plot angazhime të tjera, por 
falë Perëndisë, më në fund, po ia dalim. Me rëndësi që dëshmorët po kujtohen. Na kanë falënderuar personalitete të ndryshme nga elita intelektuale dhe kombëtare për këtë aktivitet. Kësaj here, e falënderojmë nga zemra sponsorin tonë kryesor, ‘Neks Versicherungne gmbh’, me pronar Sokol Nitaj; pastaj ‘Hauswart Gartner Gartenpflege’, me pronar Vaid Beqiri; ‘Presheva Büro’; me pronar Ferat Rushiti; agjencinë ‘Mimoza Reisen’; ‘Garage Freund GmbH’, me pronar Bejtullah Belulin; Shpend Pirgi me firmën e tij në Goldach (SG), të cilët na kanë ndihmuar vërtet shumë. Kam edhe shumë fjalë të tjera për të thënë, por shoqata jonë, falë veprimtarëve që i ka afër, si Shaipin, Feratin, Bejtën, Dashnimin etj., po i ndihmojmë fëmijët jetimë edhe aksione tjera që i duhen atdheut. Kemi pritur që pjesëmarrës në këtë akademi të jetë edhe kryetari i Preshevës, dr. Ragmi Mustafa, por meqë e kishte një rast vdekjeje, ai nuk arriti të jetë i pranishëm, por ju ka përshëndetur të gjithëve nëpërmjet një telegrami.  Gjithashtu, një përshëndetje e keni edhe nga ministri i Diasporës në Republikën e Kosovës, Ibrahim Makolli, një veprimtar i nderuar edhe i Luginës së Preshevës. Ju falënderoj të gjithëve për praninë dhe Perëndia ju bekoftë! Ju dhe familjet tuaja! Me respekt!». Z. Musliu tregoi për të pranishmit edhe për ndihmat që i kanë organizuar dhe po i bëjnë në kuadër të shoqatës për familjet e dëshmorëve, për jetimët dhe për disa studentë. Telegram pati edhe nga veprimtari medvegjas, profesor Rexhep Abazi, pastaj nga Shaban Abazi nga Medvegja etj. Kujtimi për dëshmorët u bë edhe me një minutë heshtje, kur u ngritën të gjithë në këmbë. Pastaj fjalën e moriish-komandanti i UÇPMB-së, z.Shefket Hasani, i cili e krisi pushkën i pari, me ç’rast, duke i përshëndetur të pranishmit, tregoi se so t e ka shkruar edhe një poezi për dëshmorët. Ai tha se shpreson shumë që një ditë amaneti i dëshmorëve do të realizohet, por ne duhet të punojmë më shumë. Kryetari i Komunës së Bujanocit, dr.Nagip Arifi, i cili erdhi nga Bujanoci enkas për këtë akademi, me të dalë në skenë u përkul para fotos së dëshmorëve dhe e mori fjalën, duke i përshëndetur
familjet e dëshmorëve dhe të gjithë të pranishmit.  Dr. Nagip Arifi, ndër të tjera, tha: «Me shumë kënaqësi erdhëm në këtë akademi. Ju lumtë për punën që po e bëni! Mos u ndalni me këto organizime. Dëshmorët do të përkujtohen përgjithmonë. Prania jonë dëshmon edhe një herë se ne do të jemi afër jush, edhe pse jeni larg atdheut tuaj. Të bashkëpunoni edhe më shumë ndërmjet veti. Jeni duke jetuar në këtë shtet mik të kombit tonë, Zvicër, shtet që nuk ju pengon edhe në këto organizime për t’i përkujtuar dëshmorët. Është për ta përshëndetur dhe falënderuar shtetin zviceran. E shoh se jeni integruar në këtë shoqëri, por, në anën tjetër, nuk po harroni dhe po punoni për brezin e ri që të jetë i lidhur me atdheun. 
Ju lumtë dhe vazhdoni kështu edhe në të ardhmen. Perëndia ju bekoftë të gjithëve dhe qofshim të bashkuar për gjithmonë!». Pas fjalës së të parit të Bujanocit, u shfaq një historik i shkurtër për 28 dëshmorët e UÇPMB-së, i përgatitur nga Dashnim Hebibi, e i realizuar mjeshtërisht dhe teknikisht nga Iljaz Beqiri, nga Drenica. Të pranishmit e mirëpritën, meqë për secilin dëshmor u dha nga një pjesë e biografisë, si dhe fotoja. Nxënëset Mimoza dhe Njomza Avdiu e shfaqën recitalin «Shqiponjat e Atdheut». Akademinë e përshëndeti edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, z.Islam Spahiu. Ai i përshëndeti familjet e dëshmorëve dhe gjithë të pranishmit. I përgëzoi organizatorët e kësaj akademie, duke thënë se ky tubim është shumë i rëndësishëm, duke e kuptuar se po përkujtohen dëshmorët, që e dhanë jetën për atdhe. 
Veprimtari Riza Demaj, i cili qëndroi nëpër burgjet serbe jo më pak se një dekadë, është edhe koordinator i shkollës plotësuese shqipe për Kantonin Argau.
Ai në çdo akademi është i pranishëm me familjen e tij. Si zakonisht, me disa fjalë të shkurtra, ai i përshëndeti familjet e dëshmorëve dhe të pranishmit, ndërkaq e dha idenë se do të ishte mirë që dëshmorët të përkujtohen për një ditë, pra të gjithëdëshmorët e tri luftërave: në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, ngase secili ka luftuar duke u betuar në flamurin kuqezi.  Zonja Shukrije Ramadani, drejtuese e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, përcolli përshëndetje për familjet e dëshmorëve, për bashkëluftëtarët e dëshmorëve dhe për të gjithë të pranishmit Zonja Ramadani tha se ajo e kupton më së miri se ç’do të thotë të përkujtohen dëshmorët, sepse edhe ajo është familje e dëshmorit. Nuk duhet të harrohet historia.
Këta dëshmorë e dhanë jetën për një jetë më të mirë, sikur edhe shumë dëshmorë të tjerë. Nuk guxojmë ta shkelim gjakun e dëshmorëve, por të punojmë edhe më shumë që të jemi më të fortë dhe siç e meritojmë. Nuk guxojmë të përçahemi, por përkundrazi të jemi më të bashkuar. Tani e kemi Shqipërinë në NATO, e kemi Kosovën e pavarur, pra jemi më mirë se kurrë. Presim ditë më të mira edhe për shqiptarët në trevat tjera shqiptare. Lavdi dëshmorëve! Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta! Atyre që e kanë organizuar këtë akademi, ju lumtë! E dimë se është një punë e madhe, por Perëndia jua shpërbleftë! Një herë në vit të paktën, familjarët e dëshmorëve takohen ndërmjet vete. E di se nuk e kanë të lehtë, por e di se, në anën tjetër, janë krenarë, sepse patën më të mirët e tyre që t’ia japin atdheut, sepse ata kanë mbetur të përjetshëm. 
Kryetari i Bashkimit të Intelektualëve në Zvicër, Abaz Fejzullahu, tha se jemi mësuar të dëgjojmë këngë për dëshmorët dhe po dëgjojmë vazhdimisht. Mirë është që po bëhen, por ne duhet të punojmë më shumë, që amaneti i dëshmorëve realisht,të shkojë aty ku kanë dashur ata. Punë, bashkim, vetëm kështu do të ecim përpara. Edhe dëshmorët e deshën bashkimin, por ky bashkim do të vijë vetëm kur ne jemi më të bashkuar. Edhe babai i dëshmorit Ridvan Qazimit, Komandant Lleshi, i cili, edhe pse në moshë të thyer, erdhi nga Tërnoci i Bujanocit, me disa fjalë përshëndeti organizatorët, duke thënë se ‘jam me shumë emocione kur po e kujtoj se jam në mërgim, dhe mërgimtarët po organizojnë akademi të kësaj natyre, duke i përkujtuar
dëshmorët’. Ai rikujtoi disa vargje, duke e ditur se mërgata ishte dhe është e do të jetë shumë e rëndësishme për atdheun. ‘Nga kjo akademi u dëshiroj të gjithë shqiptarëve bashkim dhe bashkëpunim më të mirë’, tha ai. Me të dalë në skenë babai i dëshmorit të Komandant Lleshit, nga moderatorja u ftuan edhe të gjithë familjarët e tjerë të dëshmorëve që ishin të pranishëm për një fjalë rasti, dhe kështu të gjithë bashkë e falënderuan Këshillin Organizativ dhe përcollën emocione të papërshkrueshme te të pranishmit. Këngëtari Afrim Aliu me dy këngë i përshëndeti të gjithë të pranishmit në sallë. Këngëtari i muzikës folklorike Hekuran Rexhepi me grupin e tij, sikur për çdo herë, u paraqit me dy pika muzikore. Këngën e parë «Dëshmorët e Kosovës Lindore» e këndoi Hekuran Rexhepi dhe këngëtarja e re, Hysnije Rexhepi, të cilën e quajnë Fatime Sokoli, e këndoi këngën «Na bashkon vetëm një Shqipëri», të cilat përcollën vërtet emocione te të gjithë të pranishmit, duke u duartrokitur gjatë. Zonjusha Blerta Shabani e recitoi poezinë «Poemë kosovare». Krejt në fund të akademisë u ndanë edhe disa mirënjohje për të pranishmit, të cilët kanë kontribuarpër këtë akademi.   
Gjithashtu, mirënjohje iu nda Fazli Musliut, në emër të Këshillit Organizativ nga kryetari i Komunës së Bujanocit, dr. Nagip Arifi.  Ishte edhe  një telegram përshëndetës nga «Besëlidhja e Re Shqiptare», me seli në Krujë, nga drejtuesi Fatos Ashiku. Ndërsa profesor Nasir Rrustemi e përmbylli akademinë me këto fjalë: «Kam edhe shumë fjalë për të thënë, por nuk mund të largohem pa iu drejtuar edhe një herë faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë trysni pushtetit serb që ta sjellë aty ku ishte Lapidarin e UÇPMB-së, të cilin e vodhën xhandarët dhe ushtria e Serbisë, sepse dëshmorët janë te çdo zemër shqiptari, e ajo ditë presim që do të vijë shpejt. Qofshim të bashkuar gjithmonë, nga Medvegja, Presheva, Bujanoci, Tetova, Gostivari, Prishtina, Peja, Gjakova, Drenica, Tirana, Ulqini e Malësia! Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Mbahuni të forta dhe krenare, ju familje të dëshmorëve. Zoti e bekoftë popullin shqiptar, SHBA-të, Zvicrën dhe gjithë miqtë e tjerë të kombit tonë. Lavdi dëshmorëve! Shihemi vitin tjetër. Ju faleminderit për pjesëmarrje!» Vlen të përmendet se për këtë lloj akademish është punuar shumë dhe po punohet në vazhdimësi, por Këshilli Organizativ i fton të gjithë ata që duan të kontribuojnë për t’i kujtuar dëshmorët, që pastaj të mos ketë ndonjë fjalë a vërejtje pasi të kryhen ato, sepse, siç dihet, secili që ka dhënë kontribut nuk është paguar, por pagesa e mundi shpërblehen nga Perëndia. Organizatorët janë të bindur se vitin tjetër do të jenë edhe më të organizuar dhe më të përkrahur. Edhe z.Musliu, edhe z.Neziri, në fund, thanë për portalin tonë «dialogplus» se është dashur shumë mund që të organizohet kjo akademi. I falënderojnë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut, si në akademitë e kaluara, ashtu edhe kësaj here. Nuk është e  lehtë kur i sheh gjithë këta dëshmorë me fotot e tyre në skenë dhe, në anën tjetër, t’i kemi pranë familjet e tyre.Prandaj, për çdo vit do të jetë një kryesues i akademisë. Kësaj here ishte nga Gostivari, vitin tjetër shpresojmë se do të jetë nga Kosova, apo nga Lugina e Preshevës, por deri atëherë do të shikojmë se si do t’ia bëjmë. Me rëndësi, kjo akademi nuk do të ndalet kurrë. (dialogplus.ch) ( Fotot i realizoi Besnik HEBIBI)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button