Me ndihmë edhe të Beogradit synohet kthimi masiv i serbëve në Kosovë

Ministri për Komunitete dhe Kthim,DaliborJevtic, po beson që mund të arrijnë në kthimin masiv të serbëve në qytetet e Kosovës.
Ai është shprehur mjaft shumë i bindur se serbët do të kthehen dhe këtë e ka thënë edhe në takimin që ka pasur me shefin e zyrës operative të BE-së në Kosovë Christof Stock.
Por kthimi masiv i serbëve dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë do të jetë i mundur vetëm me bashkëpunim institucional të të gjithëve, duke përfshirë edhe Beogradin.
Ministri Jevtic, më tutje e ka vlerësuar bashkëpunimin midis Ministrisë dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shtoi se është shumë me rëndësi që bashkëpunimi në këtë drejtim të vazhdoj edhe me tutje.
“Programi i Stabilizimit të Komuniteteve, në të cilin jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë ofron një mundësi për të mbijetuar, sepse përveç ndërtimit të shtëpisë ofron edhe stabilitet në kuptimin ekonomik”, ka thënë ministri Jevtic, i cili ka shprehur besimin se projekti RRK4 i cili do të filloj, do të jetë vazhdimi i suksesshëm i projektit RRK3.
Shefi i Zyrës Operative të Bashkimit Evropian në Kosovë, ChristofStock, gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe bashkëpunimin në mes të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Bashkimit Evropian, dhe tha se mbyllja e kampit të Leposaviqit është tregues i bashkëpunimit të suksesshëm në këtë fushë.
Ministri për komunitete dhe kthim në fund të takimit tha se ministria është duke bashkëpunuar me pothuajse të gjitha institucionet, në mënyrë që kthimi dhe mbijetesa të jenë sa më të suksesshëm. Ai informoi shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë që ekipi mobil i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi është duke regjistruar personat e zhvendosur me qëllim të marrjes së dokumentacionit.