Në Gjermani kapen 5.6 tonë marihuanë shqiptare, ishte fshehur në blloqe graniti

Autoritetet policore të Bavarisë në Gjermani, në bashkëpunim me autoritetet doganore të këtij vendi, kanë sekuestruar një sasi të madhe lëndë narkotike, që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Sipas mediave në Gjermani, 5.6 ton marijuanë janë gjetur në një kamion, të ngarkuar me blloqe graniti, brenda të cilave ishte futur lënda narkotike.
Sasia e drogës, më e madhja e kapur në vitet e fundit në Gjermani, thuhet se e ka origjinën nga Shqipëria dhe ishte e destinuar për tregun gjerman, holandez dhe italian.
Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se kanë arrestuar 8 persona të moshës 30-49 vjeç, të dyshuar si kontrabanduesit e sasisë rekord të marijuanës prej rreth 5.6 ton. Në krye të trafikut besohet se qëndrojnë dy vëllezër shqiptarë.
Kreu i anti-narkotikëve në Mynih, Jurgen Thiel tha se kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur në 20 vitet e fundit në landin e Bavarisë.
“Nëse sasia e marijuanës do të kishte dalë në treg do të kapte shifrën e 50 milionë eurove. Droga ishte fshehur në blloqe gurësh natyralë, të cilët do të transportoheshin për në Gjermani. Blloqet ishin përpunuar në atë mënyrë që të dukeshin si gurë graniti të përpunuar” – tha Thiel.
Mediat bavareze thonë se paketimi është bërë në Shqipëri, ku marijuana mbillet në liri. Shqiptarët kishin përgatitur blloqe betoni me hapësirë të nevojshme për të mbajtur sasinë gjigande.