Nuk ka trofe për Barcën, Atletico kampion

Atletico Madrid barazoi 1:1 me Barcelonën në Camp Nou dhe fitoi titullin e kampionit në La Ligë.
Skuadra e trajnerit Diego Simeone arriti pikën që i mjaftonte për t’u kurorëzuar me titullin e dhjetë në histori të klubit.
Edhe pse sulmuesi Diego Costa dhe mesfushori Arda Turan u lënduan dhe zëvendësuan në pjesën e parë, Atletico nuk u dorëzua asnjëherë.
Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 33-të nëpërmjet Alexis Sanchezit. Mirëpo, Diego Godin shënoi me kokë duke barazuar shifrat në minutën e 49-të.
Barcelona u hodh në sulm në kërkim të rikthimit të avantazhit si rezultat i vetëm që do t’ia siguronte titullin, por nuk ia doli. Festa i takon Atleticos.