Magazina

PLISAT PO RRALLOHEN

Plisi, kapuçi i bardhë tradicional i shqiptarëve, nuk po lëkundet nga koka e kosovarëve. As ndryshimi kulturor nëpër epoka nuk ka mundur ta heqë plisin nga përdorimi. Plisi, ndonëse vitet e fundit po mbahet në kokë nga të vjetrit, një zakon ky i mbetur prej fëmijërisë, kur për ta ishte turp që edhe si fëmijë të dilnin në rrugë pa plis, po ruhet si trashëgimi nga të rinjtë kosovarë.
Fisnik Mula është vetëm 30 vjeç, me shkollim të kryer në Universitetin e Berlinit për shkenca politike dhe tani një nga punonjësit e institucioneve të misionit evropian në Kosovë, në kohën e lirë punon plisa, në shtëpi me babanë e tij. Jo si dikur kur plisi ishte burim i vetëm i të ardhurave, familja Mula sikurse dhe disa familje të pakta tjera në Gjakovë, Pejë, Prizren… vazhdon tani ta punojë plisin për myshterinjtë tradicionalë dhe ata pleq. Që nga stërgjyshi i tij Selimi, pastaj gjyshi Isufi, e deri te babai Sahiti, zanati për punimin e shitjen e plisit u trashëgua te Fisniku.
Si gjeneratë e katërt edhe pse puna që bën në misionin evropian i siguron të ardhura për të jetuar, ai ka vendosur që të mos e ndërpresë traditën. “Sot të ardhurat nga shitja e plisave janë të pakta dhe nuk të sigurojnë jetesën, për shkak të rënies së interesimit për përdorimin e përditshëm të plisit, mirëpo dua ta çoj përpara kultivimin e plisit në mënyrën siç ishte përgatitur një shekull më parë”, thotë Mula që vazhdon ta mbajë jo si biznes, por, siç shprehet, “si simboli ynë i shqiptarëve”
Ai rrëfen për gazetën se punimi i plisit ishte profesioni familjar, që mbahet mend të jetë përcjellë nga stërgjyshi Selimi dhe që u përcoll brez pas brezi jo me pak sakrifica.
Numri i familjeve që punojnë plisin, në rënie

Në një nga lagjet e Gjakovës, ende tri-katër familje po e kultivojnë plisin. Një nga kultivuesit e plisit, familja Mula, po vazhdon të prodhojë me porosi për dyqane ku shiten veshjet popullore dhe këtë e bën në ambientet e shtëpisë. Mula thotë se babai i tij deri në vitet e 90-ta si i shkolluar për ekonomi ka mbajtur disa pozita në institucione, dhe pas largimit nga puna siç ndodhi në atë kohë të largohen shumica e shqiptarëve, ai thotë se plisi sërish u bë mjet për përfitimin e të ardhurave për mbijetesë. “Në shtëpi dhe unë si fëmijë me kthimin nga shkolla fillova të jap kontributin tim, të punoj bashkë me babanë plisa. Që nga viti 1991 përpunimi i plisave ishte i vetmi burim i të ardhurave tona”, tregon ai.

Mula thotë se për të mbajtur dyqan në periudhën e paraluftës kushtonte shumë. Punimi i plisit, kapuçi tradicional, është bërë përpjekje të ndalohet nga sistemi serb. “Taksat kanë qenë të larta në kohën e okupimit jo vetëm për ne, por për të gjithë zanatlinjtë”.

Në Gjakovë para viteve 90-ta, sipas tij, kanë qenë rreth 16 familje që kanë punuar plisin. Gjatë viteve 90-ta ky numër ka rënë në 5-6 familje. “Ndërsa, sot nuk janë më shumë se katër familje që punojnë në Gjakovë plisin”, thotë Mula, i cili shpjegon se numri i këtyre familjeve ka rënë për shkak taksave të mëdha që aplikoheshin për artizanat.
Madje, ai thotë se të parët e tij, ishin detyruar të iknin në Shkodër për një kohë për të punuar plisin, pasi ishin përndjekur nga sistemi serb që të mos punonin plisin. “Ata që prodhonin plisin edhe pengoheshin nga sistemi i atëhershëm qeverisës”. Mula bën thirrje që Qeveria t’i kushtojë më shumë vëmendje ruajtjes dhe kultivimit të artizanateve.
16 faza punë deri te një plis

Kanë mbetur tri qytete në gjithë Kosovën ku ende punohet plisi: Gjakova, Prizreni e Peja. “Sot, një plis në treg mund ta gjesh për vetëm 3 euro e 50 centë. Por punimi i tij deri te forma përfundimtare është mjaft i vështirë”, thotë Mula.

Ai tregon se duhet të kalohet gjithsej në 16 faza që të arrihet forma përfundimtare e plisit. “Plisi mund të punohet në forma të ndryshme, që përcaktohet nga regjioni ku janë bartur. Ne punojmë plisa të Kosovës më shumë, por prodhojmë dhe të të gjitha llojeve”.
Mula thotë se ekzistojnë disa lloje të plisit, si plisi i Kosovës me formën e rrumbullakët, plisi i Lumes me formën e prerë të rrafshët, pastaj plisi i veriut, labëve… Edhe një formë tjetër që thotë se haset me ngjyrë të zezë, plisi në rajonin e Vlorës, në fshatin e quajtur Dukat.
Produkti i parë për punimin e plisit, është leshi i deleve. Pastaj, uji i nxehtë dhe sapuni janë mjetet tjera që përdoren gjatë punimit të plisit deri në formën e plotë të tij. Leshi më i duhur për punimin e plisit, Mula thotë se është ai i deles Rudë. “Ky lesh është më kualitativ dhe më i preferuar për punimin e plisit.
Mund të përdoret dhe i deleve tjera, por në zanatin tonë ky lesh është ai duhuri”. Ndonëse mbajtja e deleve nuk po zhvillohet si biznes në vend, si dhe sigurimi i jetesës nga to siç bëhej pothuajse në çdo të dytën shtëpi vite më parë, ka rënë, prandaj sigurimi i leshit të deleve, sidomos asaj Rudë, për punuesit e plisit po has në vështirësi.
“E gjejmë me vështirësi leshin. Dhe pse në zona malore kemi shpresën e vetme tash ku mbahen delet”, thotë ai, duke treguar kështu vendosmërinë tij që të punojë plisin nga leshi dhe jo me material artificial, siç thotë se po ndodh në Prizren, ku plisi po del në shitje i fabrikuar. “Tani disa po e punojnë plisin me makina nga materiali që nuk është lesh”, thotë ai, duke treguar se punimi i plisit nga materiali jo nga leshi, nuk e ka efektin e tij që ndal të ftohtit e as të nxehtit të mos depërtojë në kohë.
Plisi peshon 80 – 150 gramë, ka histori të lashtë

Gjatë punimit të plisit përnjëherë punohen 50-100 copa plisa. “Punimi i plisit është proces i vështirë, i lodhshëm, kërkon sidomos forcë dhe kohë deri në tharjen e një faze, kështu që ne nisim dhe mbarojmë prej 50 -100 copa përnjëherë”. Thotë se veti e plisit (leshit) është që verës e mban larg të nxehtit dhe dimrit e ruan kokën nga të ftohtit.

Një plis, ai thekson se peshon nga 80-150 gramë, ndërsa madhësia lëviz sipas kokës, e ndahet në dy grupe; të mëdha dhe të vogla. Një plis kushton 3 deri në 3 euro e gjysmë.

“Plisi shitet më shumë për festa kombëtare”, thotë Mula, duke pohuar se kanë pasur edhe kërkesa që plisat t’i punojnë me ndonjë logo me motive kombëtare si shqiponjë ose flamur.

“Nuk kemi pranuar, duam të ruhet forma tradicionale, se kemi pasur kërkesa nga Kukësi dhe Tropoja që të bëhen plisa dhe në mes të vendoset figura e Sali Berishës (liderit të PD-së), por nuk kemi bërë të tilla”.

Ai thotë se historia e bartjes së plisit është e lashtë. Në familje, por edhe nga leximet ai thotë se historia më e folur e bartjes së plisit nga shqiptarët është që plisi i bardhë është përdorur të mbulojë zinë kombëtare, e cila lidhet me vdekjen e heroit kombëtar – Skënderbeut. “Ka shumë variante historike për datimin e mbajtjes së plisit nga shqiptarët”, thotë ai.
Edhe në dokumente historike dhe gojëdhëna jepen disa variante për lashtësinë e plisit duke e dërguar ekzistencën e tij që në kohën e Ilirisë. Në gojëdhëna për lashtësinë e plisit, dëshmon edhe emri i një lloji i tij që quhet vorri i Skënderbegut. Që nga vdekja e Skënderbeut shqiptarët filluan të mbajnë një kapuç të një forme të posaçme, me fundin ose majën e trusur, të thelluar në formë varri. Ky tip kapuçi mund të ishte i zi ose edhe i bardhë. 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button