Magazina
Rikthehet në Serbi shprehja: “shqiptar i ndershëm nga koha e Millosheviqit”
Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve paraqet ndërhyrje në Kushtetutën e Serbisë, tërheqin vërejtjen përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi e Shaip Kamberi kanë tërhequr vërejtjen se duke zvogëluar në mënyrë drastike numrin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, nga 29 në 15, do të cenohej niveli i arritur i të drejtave të pakicave kombëtare, përkatësisht cenimi i Kushtetutës së Serbisë që garanton të drejtën e pakicave kombëtare.
Në debatin e zhvilluar në Kuvendin e Serbisë rreth ndryshimeve në Ligjin mbi këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, deputeti i Partisë së Veprimit Demokratik, Riza Halimi ka thënë se pakësimi i paraparë i numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve nuk i përgjigjet situatës faktike, meqë të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë nga viti 2011 nuk janë të plota, meqë numri më i madh i shqiptarëve ka bojkotuar atë regjistrim.
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlament kanë tërhequr vërejtjen se numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve do të pakësohet në mënyrë drastike nëse për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve zbatohen të dhënat nga regjistrimi i popullsisë të vitit 2011, dhe me amendamente kanë kërkuar që zgjedhjet të bëhen në bazë të regjistrimit paraprak.
Këshilli aktual Kombëtar i Shqiptarëve ka 29 anëtarë dhe është formuar në bazë të regjistrimit nga viti 2002, kur në Serbi ishin regjistruar 61.647 shqiptarë.
Në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011 janë regjistruar 5.500 shqiptarë dhe prandaj Këshilli Kombëtar i tyre pas zgjedhjeve të ardhshme për këshilla kombëtare të pakicave, që do të mbahen sivjet, do të kishte 15 anëtarë.
Halimi ka rikujtuar se në regjistrin e posaçëm ekzistues zgjedhor, që e mban Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, janë të regjistruar rreth 27 mijë shqiptarë.
Por deputeti i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Predrag Mijatoviq e ka quajtur të drejtë refuzimin nga Qeveria e Serbisë të amendamentit, sepse ndryshe, sipas tij, do të nënçmoheshin pakicat e tjera kombëtare që janë lojale ndaj shtetit të Serbisë.
“Pakica shqiptare ka treguar jolojalitet edhe në kohën e regjistrimit sepse nuk ka dashur të regjistrohet, ndërsa tani në mënyrë retroaktive kërkon dofarë të drejtash”, është shprehur ai.
Mijatoviq ka shtuar se nuk bën tash pa rend të kërkohen disa të drejta dhe se kurrfarë kompromisi shtesë për pakicën kombëtare nuk duhet kërkuar.
Deputeti tjetër i Partisë së Veprimit Demokratik, Shaip Kamberi ka rikujtuar se tani po flitet për shqiptarë lojalë dhe se kështu po rikthehet “tregimi për shqiptarët e ndershëm për të cilët flitej në kohën e Sllobodan Millosheviqit”.
Amendamentin e përfaqësuesve të shqiptarëve e ka mbështetur Partia e Re