Magazina
Arrestohen 6 të parët e Lazaratit
Pas përplasjes së armatosur dy ditë rresht në Lazarat, gjatë natës së djeshme dhe në orët e para kanë vijuar krismat e armëve nga fshati Lazarat. Për pasojë një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është plagosur, por pa rrezik për jetën.
Policia njofton se janë arrestuar 6 persona të akuzuar për sulmin ndaj gazetarëve të A1 Raport. Ata janë: Matjas Bocia, vjeç 23, Florian Shurdhi, 29, Juxhin Bocia, 19, Xhevahir Doçi, vjeç 29, Ali Basha, vjeç 46, dhe Emiljano Aliko, vjeç 31. Ata janë banues në Lazarat dhe disa fshatra të tjera të Gjirokastrës.
Këta shtetas janë paraqitur në komisariatin e policisë së qytetit gjatë pasdites së djeshme. Pas verifikimit të deklarimeve të tyre, ku janë vërejtur mospërputhje, policia i ka ndaluar këta shtetas në cilësinë e të dyshuarve dhe ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancë, raporton Top Channel.
Këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor, në momentin që këto forca po zhvillonin operacionin për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe asgjesimin e tyre.
Policia mban të rrethuar gjithë zonën dhe të martën në mengjes nga disa banesa të fshatit dilte tym masiv. Bëhet fjalë për hashashin që banorët po vijojnë ta ridjegin në mëngjes pas reshjeve të shiut të mbrëmshëm.